Vajza e Big Brother, detajet e para të hetimit për trafik
Si ka dalë emri i Mardjola Baços në hetimin për vlonjaten Arjeta Gabaj. Historia e një vajze të shndërruar nga viktimë e prostitucionit në tutore
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme, zbardh detaje të reja në lidhje me historinë evlonjates Arjeta Gabaj, në dosjen e së cilës është thirrur dje në Prokurori edhe një ndër personazhet e spektaklit “Big Brother”, Mardjola Baço. Burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës konfirmuan për “Shekullin”, detaje nga historia e vajzës nga Vlora që gjendet nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Vlonjatja Gabaj, në fillim të adoleshencës së saj, ka rënë pre e mashtrimit nga një person, i cili ishte pjesë e rrjetit të trafikut të femrave me qëllim prostitucioni.
Sipas prokurorisë, ishte vetëm 18 vjeçe dhe me probleme të mëdha financiare në familje, kur doli jashtë Shqipërisë me “shokun” e saj, i cili e detyroi të punonte rrugëve të Greqisë si prostitutë fillimisht dhe më pas në Itali. Në Itali, ajo është arrestuar nga policia dhe është riatdhesuar në Shqipëri, ku ka qëndruar për disa muaj e “pushim” për t’u kthyer prapë në “profesionin” e mësuar me dhunë.
Ajo është marrë sërish nga rrjeti që e shfrytëzoi në Itali dhe është dërguar në Kosovë për të njëjtat qëllime. Pas disa muajve punë të detyrueshme, vajza nga Vlora arrestohet nga Shërbimi Policor i Kosovës ku edhe dënohet nga gjykata për ushtrim prostitucioni në mënyrë të paligjshme.
Vlonjatja riatdhesohet në Shqipëri ku kthehet për të jetuar dhe banuar pranë familjes së saj në Vlorë. Por, këtu fillon edhe kryerja e veprës penale. Nga viktimë e hershme e prostitucionit, ajo kthehet vetë në shfrytëzuese, sipas dosjes hetimore. Duke shfrytëzuar moshën e re të një 13 vjeçare, mungesën e kushteve të mira ekonomike të familjes së saj dhe nivelin e ulët të shkollimit, Gabaj ka arritur të mashtroi vajzën, duke realizuar largimin jashtë vendit.
Që këtu, vajza nga Vlora, Arjeta Gabaj ka filluar të ushtroi punën e “tutores”, duke rekrutuar 13 vjeçaren për një trafik të mundshëm me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Por, mungesa e 13 vjeçares në shtëpi ka alarmuar familjarët e saj të cilët i janë drejtuar policisë duke denoncuar zhdukjen e vajzës, e cila kishte filluar të rrinte në shtëpinë e të pandehurës Gabaj. Policia, pas informacioneve të marra në rrugë operative gjeti vendndodhjen e 13 vjeçares dhe arrestoi shtetasen Arjeta Gabaj, me akuzën për “trafik të miturish me qëllim shfrytëzimin për prostitucion”.
Pas arrestimit, dosja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda për hetime të mëtejshme, pasi ky institucion është kompetencë e hetimit të kësaj çështje. Gjatë marrjes në pyetje, Gabaj ka përmendur emrin e personazhes problematike të spektaklit “Big Brother”. Roli dhe statusi i mëvonshëm penal janë duke u formuluar, por sipas Gabaj, vajza e spektaklit popullor, Baço “do t’i ndihmonte për rregullimin e dokumenteve të udhëtimit për në Itali, ku pretendonin të iknin me 13 vjeçaren”.
Kjo dëshmi, i ka shtyrë hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ta marrin në pyetje shtetasen Mardjola Baço për të dytën herë, duke i marrë shpjegimet e saj në lidhje me këtë çështje.
Gjatë dëshmisë së saj, dhënë mesditën e së premtes, mësohet se Mardjola Baço ka mohuar të gjitha pretendimet e vajzës vlonjate Arjeta Gabaj. Mësohet se gjatë mesditës të së premtes, është marrë në pyetje përveç se personazhja e “Big Brotherit”, Mardjola Baço edhe bashkëshorti i saj, Rustem Baço, i cili ka mohuar gjithçka, duke i quajtura deklarimet e viktimës së shndërruar në tutore Arjeta Gabaj, si “shpifje për të denigruar emrin e familjes”.
Një shtatzani në qeli ndryshoi masën e arrestit për vajzën vlonjate
TIRANË - Disa muaj më parë, në institucionin e paraburgimit “Jordan Misja” në sektorin e grave, një nga të paraburgosurat e këtij institucioni ka lindur një vajzë.
Lindja është asistuar nga bluzat e bardha të maternitetit “Mbretresha Geraldinë” në Tiranë. Por, me të marrë vesh këtë lindje brenda institucionit të paraburgimit, Prokuroria e Krimeve të Rënda është vendosur në alarm për lirimin e saj, pasi rritja e bebes në këtë institucion është e pamundur.
Si për ironi të fatit, vajza që solli në jetë fëmijën e saj të parë, ishte e pandehura Arjeta Gabaj. E pyetur pse nuk kishte njoftuar për shtatzaninë e saj gjatë fazës së hetimit dhe burgosjes, ajo ka thënë se vetëm me lëvizjet e para të foshnjës, ka mësuar se është shtatzanë...
Edhe pse është kuptuar kjo shtatëzani jashtëmartesore, Gabaj dhe drejtuesit e paraburgimit “Jordan Misja” nuk kanë lajmëruar Prokurorin e Krimeve të Rënda të cilët po hetonin vlonjatën për dyshimin e “trafikut të të miturve” me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, mësohet se institucioni që po hetonte vajzën kishte mësuar për lindjen e saj vetëm 20 ditë pasi fëmija ka dalë në dritë dhe ka marrë masa të menjëhershme për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arresti në burg” në “arrest shtëpie”, masë e cila vazhdon të jetë në fuqi.
“Sipas raportit mjekësor të marrë vetëm pas lindjes, kemi mësuar se Arjeta Gabaj kishte mbetur shtatëzënë një muaj para arrestimit të saj dhe në mars të këtij viti ajo ka lindur vajzë. Tashmë hetimet ndaj saj po vazhdojnë dhe pritet që brenda pak muajve të vendoset drejtimi i dosjes që po hetohet gati prej një viti. Sipas burimeve nga prokuroria, arrestimi i saj është kryer në muajin qershor të vitit 2007, kur forca të shumta të policisë të drejtuar nga Prokurori i Rrethit të Vlorës, kanë rrethuar shtëpinë e banimit të shtetases Arejat Gabaj, pasi mendohej se brenda apartamentit të saj mbahej e izoluar një 13 vjeçare e deklaruar nga familjarët si e rrëmbyer.
Pas kontrollit të banesës së saj, brenda apartamentit të banimit është gjetur 13 vjeçarja e cila i është kthyer familjarëve, ndërsa e zonja e shtëpisë, Arjeta Gabaj, u arrestua. Një muaj pas arrestimit të saj dhe caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Vlorës, dosja e vlonjates Gaba është sjellë në Prokurorin e Krimeve të Rënda për kompetencë.
Regjistrimi i dosjes penale pranë këtij institucioni është bërë më 23 korrik 2007 me personin nën hetim Arjeta Gabaj, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “trafikut të të miturve” me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Gjatë marrjes në pyetje, në cilësinë e personit nën hetim, Gabaj ka shpjeguar se nuk ka tentuar të trafikojë vajzën, por vetëm ta ndihmojë për problemet që kishte. “Nuk e kam rekrutuar 13 vjeçaren. Unë e kam ndihmuar pasi nuk donte të shkonte në shtëpi dhe kishte dëshirë të ikte jashtë shtetit. Unë e mbajta te shtëpia vetëm për ta ndihmuar dhe jo trafikuar”,-mësohet të ketë thënë Gabaj para prokurorisë.
Por, rrëfimi i 13 vjeçares ka zbuluar se ajo kishte planifikuar bashkë me Gabajn për të ikur jashtë Shqipërisë për një jetë më të mirë. Kjo dëshmi e ka detyruar Prokurorin e Krimeve të Rënda të hetojnë këtë çështje. Ecuria e hetimeve ka nxjerrë në udhë edhe personazhin e spektaklit “Big Brother”, Mardjola Baço, ndërkohe qe priten hollësi të reja nga ky hetim që pritet të marrë përmasa publike.