E Shtunë, 31 Tetor 2026

DHE DRITE E DITURISE PERPARA DO NA SHPJERE...

Sa gabime bën njeriu nga padija! Por kur gabojnë njerëzit e dijshëm, atëherë kjo është shenjë se po afron qameti. Rektori i Universitetit të Vlorës po gabon rëndë. Nuk zbaton urdhrin e ministrit të Arsimit për të regjistruar disa nxënës me mesataren 6 në shkollë të lartë. Gabim! Faj! Krim! Gjenocid! Unë jam nga ata persona që uroj me mish e shpirt që regjistrimi të përfundojë sa më shpejt. Kam arsye të forta. Më të forta se ata që e detyruan Mediun të pranojë atë që i thoshte mendja e tij e të kërkonte të bëhej sërish ministër...

Kam tri javë që nuk dal dot në Tiranë. Mezi hap derën e shtëpisë, sepse e kanë bllokuar fletëpalosjet që më ftojnë të përfitoj nga okazionet dhe të regjistrohem në universitet. Hyj në ashensor dhe më del në pasqyrë një numër celulari, i shkruar me buzëkuq. Nuk di ç‘më shtyu (në fakt isha vetëm) që ta marr atë numër. Mendova se mund të ishte për mua. "Mirëserdhët në universitetin ‘Parajsa‘. Për të kryer regjistrimet shtypni butonin…". Mbylla telefonin, por jo gojën. I dhashë ca të shara.

I afrohem makinës me gjak të ngrirë, sepse në vendin ku polici rrugor më vendos gjobën, dalloj një fletë ngjyrë rozë. Qetësohem. Është një ftesë për t‘u regjistruar në universitet! Unë, universitetin e kam mbaruar para 20 vjetësh. 10 vjet, pasi e kisha mbaruar nuk m‘u ndanë ëndrrat me provimet. Tani nuk guxoj të hap televizorin, se më del reklama që më fton të studioj në universitetin më të mirë që ka parë ndonjëherë njerëzimi... "Harvard"-i dhe "Cambridge" duken si shkolla e Brrakës para atyre reklamave televizive. Në fund të reklamës, shfaqet një njeri i shëndoshë, i qeshur dhe shumë i lumtur, që thotë: "Ju mirëpresim!". Kënaqësi të tillë në fytyrë kam parë vetëm tek ushtari i mirë Shvejk dhe te një pensionist i lagjes, që ka 33 vjet që luan domino dhe buzëqesh rrumbullakosshëm kur bën domino në fund me dopio gjashtë. Mu si ai tipi i reklamës.

Banderolat, billbordet janë mbushur me universitete. Edhe kur kishte mitingun përmbyllës të fushatës, PD-ja nuk kishte kaq shumë billborde! Një universitet kishte vendosur foton më të bukur që ka David Beckam! Kontrollova me shpejtësi internetin, se mos anglezi kishte lënë Amerikën dhe kishte ardhur për t‘u shkalluar, më falni shkolluar, në universitetin "Pasqyra". Në internet nuk e gjeta këtë informacion, por kjo për faktin se tanimë lajmi më parë kalon nga universiteti!

Keni provuar ndonjëherë të keni fatin e zi dhe numri juaj i telefonit të ketë rënë në dorë të disa vajzave, që shesin fshesa me korrent. Këtë fat nuk ia uroj as hasmit. Të qepen në telefon dhe thonë se do të vijnë sot pasdite (në fakt, pas një ore) për të pastruar shtëpinë. Ti mund t‘i thuash se nuk je në qytet. S‘ka problem, thonë, na jep adresën se kemi çelësa kopil dhe e hapim vetë derën. Tregohu i sinqertë dhe thuaji që nuk mund të më pastroni dot shtëpinë se nuk kam shtëpi. Pyetja që vijon është: ku banoni ju zotëri? Në hotel? Në cilën dhomë? Na prit se aty jemi për 30 minuta.

Shyqyr Zotit më kanë lënë të qetë këto kohë. Por kanë filluar universitetet. Ju flasim nga universiteti... dëshirojmë t‘u bëjmë të njohur ofertën tonë më të fundit për regjistrimet në ...

O Zot! Guxo dhe mbylli telefonin dhe të pasojnë 33 sms (një sms që dërgohet 33 herë). Nëse përdor Facebook, mirë është të mos e hapësh këto kohë. Twitter ca më keq. E-mail-in hapeni vetëm nëse prisni ndonjë urgjencë. Përndryshe, do të njiheni me ofertën më të fundit të universiteteve tona, ku programi është më i miri që ka njohur ndonjëherë njerëzimi: me laborator, me fitnes, me pishinë brenda. Ofertat që merrnim deri para pak javësh për të shkuar në Antalia, janë shumë të varfra kur i krahason me universitetet.

Ka edhe ca të tjerë që të fusin në sedër: "Ta mban?". Kjo është thirrja e Universitetit Ndërplanetar. Por kjo është maja e ajsbergut. Konkurrenca mes universiteteve private ka shtuar shumë dhe …dhunën. Se harrova që këtë kisha në mendje, kur pashë pardje një mesazh nga im atë: ‘Më kanë rrëmbyer. Bëj ç‘të mundesh". Ngriva në vend. ç‘ne? Im atë vërtet nuk është më i fuqishëm se po u afrohet të 70-tave, por ai gjithmonë i ka qëndruar larg sherrit. Po aq larg sa edhe shtëpisë. Ime më ngul këmbë se shtëpia ka qenë më larg. Por për këtë nuk marr dot anë, se ka 43 vjet që vazhdon si debat dhe sa herë që më ftojnë të arbitroj, tund kokën dhe shpëtoj. Shpëtoj se ju e dini që tundja e kokës te ne mund të merret po, por edhe jo. Varet kë zgjedh. …Gjëja e parë që më shkoi në mendje, kur lexova mesazhin e tim eti, ishte të mos e shqetësoja policinë. Jo për gjë, por për raste të tilla ata e kanë dëshmuar se janë të fundit që marrin vesh ndonjë gjë. Siç e dini, rastin më të bujshëm të rrëmbimit policia e ndoqi përmes televizorit. Mendova se mos me kamera të fshehta më kishin kurdisur ndonjë gjë, por më dukej e pamundur… Mendova të njoftoj mamanë, por ndërrova mendje menjëherë. Nuk është mirë ta gëzoj para kohe. Ja e gjejnë menjëherë…

Pasi kaluan 30 minuta duke bluajtur në kokë skenarë nga më të ndryshmit, thashë të provoj ta marr në telefon. Ndoshta rrëmbyesit e kanë lënë në ndonjë dhomë të errët dhe …. Për çudi, im atë m‘u përgjigj me një "alo" të lodhur. "Qetësohu zotëri, -dëgjohej në sfond një zë femre! Nëse nuk dëshiron mos firmos, por ne po të ofrojmë një rast që një herë të vetme të vjen në jetë". Për t‘i rënë shkurt, tim atë e kishin kapur dy femra e kishin futur në një dhomë (me kompjuter sigurisht) dhe i kishin vënë përpara një formular për t‘u regjistruar në universitet për master të nivelit të dytë (DND). As mosha, as pamja e jashtme nuk e mbrojtën tim atë nga agresioni për t‘ua kaluar gjashtë vendeve të Bashkimit Europian në shkollimin e lartë.

Pasi i dhashë fjalën e burrit se, të paktën unë (ose ndonjë tjetër pjesëtar i familjes) do të regjistrohej për master dhe për Fakultetin Juridik, tim atë e lanë të qetë. Në fakt, e meritonte deri diku mundimin, se i kishte gënjyer. U kishte thënë se e kishte mbaruar universitetin. Kishte menduar se ua hodhi, por ata (dy vajzat) i nxorën formularin e masterit.

Të kthehemi aty ku e nisëm. Në Vlorë. Rektori bën gabim. Gabim historik (sepse po afrohet 100-vjetori i ngritjes së flamurit në sheshin e flamurit). Rektori nuk pranon të regjistrojë nxënësit që kanë mbaruar maturën me notën 6. Kulmi! Nuk është problemi se po kundërshton ministrin e ri të Arsimit (dhëndrit të ri, shefit të ri dhe .. universitetit të ri mos i dil përpara). Problemi është se rektori po kundërshton veten. Si guxon të mos regjistrojë në universitet nxënësit? Ata jo vetëm i plotësojnë kushtet, por i kanë të gjitha provat se e meritojnë shkollën e lartë. Imagjinoni, o njerëz! Ata kanë mbaruar shkollën e mesme! Në Tiranë nuk mund të regjistrohen, se këtu universitetet private nuk të shohin me sy të mirë, nëse ke mbaruar të mesmen! Dale pak! Më lindi një ide e mirë për biznes. Po sikur të hapim fjalë në Tiranë se ata që kanë marrë diploma të shkollave të larta mund të mos vlejnë, nëse nuk paraqesin dhe diplomën e shkollës së mesme... Nëse ti që e lexon këtë shkrim të pëlqen kjo ide, a hapim bashkë një shkollë të mesme. Tregu është plot. E bën dot? P(J)o!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›