E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terhiqet Pango: Ministria do te njohe statutin e FSHF

Ministria e Turizimit, Kulturës, Rinisë e Sporteve pranoi të plotësonte vetëm një nga kërkesat e FIFA-s, pak ditë përpara përfundimit të ultimatumit të saj, të përcaktuar më datën 21 shkurt. Ministri Pango pranoi faktin se do të firmosë statutin e Federatës Shqiptare të Futbollit brenda javës së ardhshme, por se grupi i auditit nuk do të heqë dorë nga kontrolli i financave të FSHF-së. Shteti shqiptar ka ngritur flamurin e bardhë pas kërcënimit të pak orëve më parë, bërë nga organizmat më të lartë futbollit, FIFA dhe UEFA dhe në harkun e pak ditëve do të pranojë statusin e pafirmosur të federatës së futbollit. Ka qenë vetë ministri i sporteve, Ylli Pango, që ka pranuar një fakt të tilli. Pango, ndryshe nga ligjërimet e mëparshme ka folur me tone më të zbutura dhe me më shumë frymë bashkëpunimi.
"Drejtuesit dhe specialstët Drejtorisë së Sporteve në ministri kanë marrë porosi unë nga sot (dje) për të hyrë menjëherë në bisedime me Federatën Shqiptare të Futbollit, me drejtuesit e saj dhe ekspertët që brenda dy ditësh të arrijnë në një konvergjencë mendimesh për statutin të cilin unë do ta firmos javën që vjen. Nuk ka asnjë arsye që të mos gjejmë gjuhën e përbashkët. Unë besoj se nuk ka pika që të pengojnë në marrëveshjen dhe nënshkrimin që unë do ta bëj brenda ditës së hënë",- tha ministri Pango.
Por, pavarësisht se Pango është treguar i gatshëm për të firmosur statutin përpara datës limit të vendosur nga ndërkombëtarët, auditimi në FSHF nuk do të ndërpritet, ndonëse institucioni që ai drejton nuk do të kalojë kompetencat.
"Kontrolli duhet të vazhdojë. Nuk do të prekë absolutisht asnjë fond që vjen nga FIFA apo UEFA, në formë donacioni apo të cdo forme tjetër", - tha Pango për televizionin "Top Channel".
Në këto kushte duket se beteja 3 vjecare mes ministrisë dhe federatës ka arritur në kapitullin e fundit, ndërsa presidenti i FSHF-së Armand Duka ka fituar një tjetër raund me palën shtet, pas asaj që arritur kur ministria e sporteve drejtohej nga Bujar Leskaj. Përgjatë këtyre 3 viteve numri një i federatës së futbollit është akuzuar për korrupsion, abuzimet me fondet, madje edhe paracaktim i rezultateve të ndeshjeve të ekipit kombëtar, edhe pse asnjëherë nuk ka pasur fakte për ti vërtetuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›