PD-PS i heqin Metës imunitetin me 128 vota
Ish-zëvendëskryeministri, Ilir Meta, është “zhveshur” dje dhe në mënyrë zyrtare nga imuniteti, ndërsa Prokuroria mund të nisë hetimet, lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij për korrupsion aktiv. Me 128 vota pro dhe 2 kundër, në një votim, ku ka marrë pjesë edhe opozita, Kuvendi ka miratuar gjatë seancës së djeshme të jashtëzakonshme, kërkesën e organit të akuzës për dhënie autorizimi, për fillimin e ndjekjes penale ndaj kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke i dhënë vlerë zyrtare kështu edhe vetëdeklarimit të këtij të fundit se nuk i njihte vetes imunitet.
Meta
Ashtu siç edhe e parashikon Rregullorja e Kuvendit, deputetët nuk kanë pasur mundësi të diskutojnë lidhur me kërkesën e prokurorisë, por vetëm të dëgjojnë raportin e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, që propozonte heqjen e imunitetit dhe një fjalë të shkurtër të vet kreut të LSI-së. Në emër të Këshillit, raportin e ka lexuar deputeti Viktor Gumi, i cili pasi bëri një përmbledhje të thelbit të kërkesës së prokurorisë dhe asaj që tha vet kreu i LSI-së para këtij këshilli, disa ditë më parë, i ka propozuar seancës që të votojë pro dhënies së autorizimit për hetim. Meta në fjalën e tij ka akuzuar kryeprokuroren, Ina Rama, se në kërkesën e prurë Kuvendit tregoi se është përdorur politikisht. “Prokuroria është një muaj me vonesë për një çështje, e cila ka qenë sensitive për opinionin publik, për shkak të debateve të ashpra që e kanë shoqëruar atë, por edhe për shkak të instrumentalizimit të saj, për të frymëzuar dhunë më 21 janar dhe njëkohësisht për të dhunuar institucionet kushtetuese. Pra, unë nuk habitem për këtë instrumentalizim politik të prokurorisë”, tha Meta në fjalën e vet. Duke analizuar kërkesën dhe përfundimet e paraqitura nga Prokuroria në Kuvend, Meta ka theksuar se ajo nuk bazohet në fakte që e kompromentojnë atë në një aferë korruptive, pasi sipas tij eksperti amerikan i punësuar nga organi i akuzës nuk ka mundur të jap asnjë përfundim lidhur me zërin. “Problemi ka qenë manipulimi i zërit, i bisedës, i titrave. Dhe në këtë drejtim, kjo ishte ajo që duhet të kishte sjellë Prokuroria prej kohësh, por që në fakt eksperti amerikan, për të paktën aq sa na ka sjellë prokuroria, se na duhet të shikojmë ekspertizën në anglisht të ekspertit amerikan, është pikërisht ajo që thotë, përsa i takon segmentit audio: Unë nuk isha në gjendje të pastroja segmentin audio të videos, me pajisjet që pata në dispozicion”, - tha Meta, ndërsa ka pranuar se blloku me të cilin shfaqet në këtë video është i njëjti me atë që ka pasur edhe kur ka qenë kryeministër i socialistëve. Pavarësisht kundërshtive, ai është shprehur i gatshëm që të shkojë sërish në prokurori deri sa kjo çështje të zbardhet.
Votimi
Kuvendi ka kaluar më pas në proces votimi të fshehtë me elektronikë. Para se të votohej, grupi parlamentar socialist ka zhvilluar një mbledhje të shkurtër, ku ka vendosur për të votuar pro kërkesës së prokurorisë. Kjo është pjesëmarrja e parë e socialistëve në votim, që nga rasti i kërkesës për heqjen e mandatit të deputetit, Ilir Beqja, gjatë muajit nëntor. Gjatë një votimi të fshehtë, pro kërkesës së prokurorisë, kanë votuar 128 deputetë, ndërsa vetëm dy prej tyre kanë votuar kundër. Megjithëse votimi ka qenë i fshehtë, mësohet se dy votat kundër kanë qenë nga deputetët e LSI-së.