Tërmet në Argjentinë e Japoni

Një tërmet i fuqisë 6,3 ballë sipas Riterit ka tronditur pjesën jugore të Argjentinës, por ende nuk ka informacione për viktima dhe dëme materiale.
Sipas Institutit amerikan të Gjeologjisë, tërmeti ka ndodhur të dielën, ndërsa epiqendra e tij është regjistruar 354 kilometra nga vendi Ushuaja, në thellësi prej 21 kilometra.
Tash për tash nuk ka raporte për humbje jetësh të njerëzve dhe dëme të shkaktuara materiale, ndërsa nuk është dhënë paralajmërim për cunami të mundshëm.
Ndërkohë, Shërbimi sizmologjik i Japonisë ka raportuar për një dridhje toke në pjesën veriore të këtij shteti, fuqia e së cilës ishte 5,5 ballë sipas shkallës së Riterit.
Epiqendra e tërmetit ishte në thellësi prej 10 kilometrash, ndërsa më së shumti dridhjet e tokës janë hetuar në prefekturën Ivata, por edhe në gjithë pjesën e ishullit Honshu, duke shkaktuar frikë te popullata.
Tërmeti është hetuar edhe në Tokio, por tash për tash nuk ka informacione për dëme materiale ose viktima në njerëz.