E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërmet në Trepçë

Pas humbjes nga Hysi me rezultat të thellë 4:0 dhe barazimit në shtëpi përballë Gjilanit 1:1, drejtuesit e Trepçës janë detyruar ta përdorin fshesën.
Xehetarët të mërkurën kanë larguar nga klubi tre futbollistë për shkak të sabotazhit.

Bëhet fjalë për sulmuesin Sheremet Isufi, Shpëtim Fetahun dhe Seid Onbashin. Ndërsa ndaj bullgarit Krasimir Stojev është marrë masa disiplinore derisa është dënuar me të holla.

Pas ndeshjes me Gjilanin, klubi ka liruar nga skuadra Sheremet Jusufin, Shpëtim Fetahun dhe Seid Onbashin, për shkak se kanë sabotuar. Ndërsa Krashimir Stojevi është dënuar me të holla dhe është në parapërjashtim, ka thënë për Express të mërkurën, drejtori i Trepçës, Eroll Vitaku.

Mirëpo problemet në skuadrën e mitrovicasve nuk ndalen me kaq. Pas ndeshjes Trepça Gjilani (1:1), trajneri i skuadrës gjelbër e zi, Hysni Maxhuni, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij.

Hysni Maxhuni ka dhënë dorëheqje nga posti i tij. Mirëpo ne nuk do të ngutemi, Kryesia do të mblidhet dhe do ta shqyrtojë vendimin e Maxhunit, theksoi Vitaku.

Maxhuni në krye të skuadrës së Trepçës është emëruar para disa javëve. Ai zëvendësoi trajnerin Gani Sejdiu, i cili pas një mosmarrëveshjeje me Kryesinë e klubit kishte dhënë dorëheqje nga posti i tij.

Është e vërtetë se kam dhënë dorëheqje. Arsyeja është se nuk janë pajtuar me disa lojtarë që nuk japin kontribut. Dihet se në profesionalizëm duhet të jepet një angazhim me i largët. Unë vendosa që për të mirën e Trepçës, të tërhiqem, ka deklaruar Hysni Maxhuni për Express.

Trepça ka humbur vendin e parë në renditjen tabelore. Xehetarët zënë vendin e dytë me 25 pikë të tubuara, dy më pak se lideri, Hysi, që ka një ndeshje më pak.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›