Tërmet shtatë ballësh në Korenë e Veriut
Portugalia tregoi fuqinë e saj duke dërmuar 7-0 Korenë e Veriut në grupin G në “Kejp Taun”, fitorja më e thellë dhe ndeshja me më shumë gola deri tani në Kampionatin Botëror të Afrikës së Jugut.
Raul Meireles (29’, 1-0) shënoi golin e parë për Portugalinë, që e mbylli pjesën e parë në avantazh të një goli, ndërkohë që pjesa e dytë i shndërrua në një shfaqje argëtuese me gjashtë gola të tjerë të luzitanëve. Simao (53’, 2-0), Tiago (56’, 3-0), Almeida (70’, 4-0), Liedson (81’, 5-0), Kristiano Ronaldo (88’, 6-0) dhe sërish Tiago (89’, 7-0) kompletuan edhe rezultatin tenistik të Portugalisë, që gjatë lojës mund të kishte shënuar dhe gola të tjerë, ku veçohet edhe një traversë e goditur nga lojtari më i shtrenjtë në planet.
“Ishte një ditë e madhe për Portugalinë dhe futbollin portugez”, - tha pas triumfit trajneri Karlos Keiroz. “Lojtarët janë realisht të lumtur me mënyrën se si ata luajtën, qëndrimin gjatë ndeshjes, futbollin e bukur dhe golat e bukur”.
Portugalia vinte pas barazimit kundër Bregut të Fildishtë dhe me fitoren e saj eliminoi Korenë e Veriut nga vazhdimi i kompeticionit. Koreja e Veriut kishte marrë pjesë për herë të parë në një Botëror në vitin 1966. Kjo është fitorja e parë më e thellë në një ndeshje të Kupës së Botës, qysh kur Gjermania shkatërroi Arabinë Saudite 8-0 në vitin 2002. Portugalia do të përballet me Brazilin (2 ndeshje, 2 fitore) ditën e premte në një betejë për vendon e parë në grupin G. Portugalia nuk e ka kaluar zyrtarisht grupin, por Bregu i Fildishtë (1 barazim, 1 humbje) duhet të fitojë me një diferencë të madhe golash kundër Koresë së Veriut dhe të shpresojë se Portugalia të humbasë po me shumë gola kundër Brazilit. Një barazim midis Brazilit (6 pikë) dhe Portugalisë (4 pikë) bën të pavlefshëm çdo lloj rezultati që mund të arrihet nga Bregu i Fildfishtë.
Goli i Ronaldos ishte i parë në një ndeshje zyrtare për ekipin Kombëtar qysh nga Euro 2008. Ronaldo dha gjithashtu pasin e fundit për golin e parë të Tiagos në minutën e 60-të (atë 4-0). “Të shënosh shtatë gola në një Kupë Bote nuk është e lehtë”, - tha Ronaldo, i cili ia dha medaljen e futbollistit më të mirë të takimit, Tiagos. “Shokët e mi te ekipit luajtën shumë mirë”. Koreja e Veriut pati disa shanse në fillim të ndeshjes, por u dorëzua pas golit të parë te Meireles, ky i fundit shfrytëzoi një pas të zgjuar të Tiagos, duke shënuar edhe golin e parë të Portugalisë në këtë Botëror. Goli shokoi koreanët, ndërkohë që portugezët nisën shfaqjen duke u shndërruar nga një autsajder për të fituar në një ekip pretendent për të fituar turneun.
“Taktikisht ne nuk arritëm të bllokonim sulmet e tyre”, - tha trajneri i Koresë së Veriut, Kim Jon Hun. “Është faji im, që ne nuk luajtëm me strategjinë e duhur dhe kjo është edhe arsyeja se përse ne pësuam shumë gola”. Meireles asistoi në golin e Simaos në minutën e 53-të, ky i fundit e kaloi topin midis këmbëve të portierit të Koresë së Veriut, Ri Myong Guk. Almeida shënoi tri minuta më pas me një goditje të fuqishme me kokë dhe Tiago shënoi pas një pasi të Ronaldos në minutën e 60-të. Liedson shënoi pas një gabimi të mbrojtjes, përpara se Ronaldo t’i jepte fund thatësirës prej 16 muajve pa gol për vendin e tij duke përfunduar thjesht një aksion pas topi mbërriti te ai.
“Ishte shumë e rëndësishme të shënonim gola sot”, - tha Tiago. Koreja e Veriut hodhi në fushë të njëjtën formacion që la përshtypje të mirë në humbjen 2-1 me Brazilin, por Keiroz bëri katër ndryshime në ekip në raport me skuadrën që barazoi 0-0 me Bregun e Fildishtë. Tiago zëvendësoi Dekon e dëmtuar në mesfushë, ndërkohë që Almeida dhe Simao iu bashkuan Ronaldos në vijnë e parë. Miguel Brito u zgjodh në vendin e Paulo Ferrierës në pozicionin e mbrojtësit të djathtë. Portugalia e nisi pozitivisht lojën, me Ronaldon që goditi me të majtën qysh në minutën e tretë, por lojtari më i shtrenjtë në botë ishte pothuajse i qetë deri në fillimin e pjesës së dytë. Koreanët patën disa momente të mira me Cha Jong Hyok dhe An Yong Hak, të cilët gjuajtën nga larg, ndërkohë që sulmuesi Jong Tae Se mund të kishte bërë më mirë pas pasit të Mun In Guk.
7 golat e Portugalisë
29' R. Meireles (1-0)
53' Simao (2-0)
56' H. Almeida (3-0)
60' Tiago (4-0)
70' H. Almeida
81' Liedson (5-0)
88' K. Ronaldo (6-0)
89' Tiago (7-0)
GRUPI G
15.06 16:00 Bregu i F.-Portugali 0-0
15.06 20:30 Brazili-Koreja V. 2-1
20.06 20:30 Brazili-Bregu i F. 3-1
21.06 13:30 Portugali-Koreja V. 7-0
25.06 16:00 Portugali -Brazili
25.06 16:00 Koreja V.- Bregu i F.
RENDITJA
1. Brazili 2 2 0 0 5-2 6
2. Portugalia 2 1 1 0 7-0 4
3. Bregu i Fild. 2 0 1 1 1-3 1
4. Koreja e Veriut 2 0 0 0 1-9 0
Kili mund Zvicrën e dy shqiptarëve
Berhami lë ekipin me dhjetë lojtarë, Bunjaku debutoi në Kupën e Botës
Valoni për kartonin e kuq: “Ishte një vendim i pabesueshëm”
Kili hodhi një hap të madh në kualifikimin për në raundin me eliminim direkt në Kupën e Botës pas fitores 1-0 kundër Zvicrës, që nga ana e saj luajti me dhjetë lojtarë për 60 minuta pas ndëshkimit me karton të kuq të shqiptarit Valon Behrami.
Mark Gonzales shënoi golin e vetëm të takimit me një goditje me kokë në minutën e 75-të pas një harkimi nga Esteban Paredes.
Kili pas dy ndeshjeve ka pikë të plota, 6, duke marrë edhe kryesimin e grupit, pasi në ndeshjen e parë kishte fituar 1-0 me Hondurasin. “Ne patëm shumë fat afër fundit të ndeshjes kur edhe shënuam golin”, - tha Gonzales, i cili luajti si zëvendësues. “Ne u përpoqëm të bënim më të mirën tonë, të luanim fort dhe e gjetëm golin. Ky është një moment i madh për mua dhe për ekipin tonë”.
Rezultati i mban ekipet nga Amerika e Jugut të pa thyera. Kili, Brazili dhe Argjentina dhe i kanë fituar të dyja ndeshjet, ndërkohë që Uruguai dhe Paraguai kanë fituar një dhe barazuar një secila. Kili fitoi avantazhin numerik kur Valon Behrami i Zvicrës u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 31-të për një ndërhyrje të ashpër ndaj kilianit, Arturo Vidal. “Për mua ishte një vendim i pabesueshëm”, - tha pas ndeshjes kosovari i natyralizuar si zviceran, në lidhje me vendimin e gjyqtarit Khalilk Al Ghamdia.
“Ishte vetëm një kontakt i vogël me duart e mia te qafa e tij, kur ai u rrëzua poshtë sikur të kishte marrë një goditje me bërryl. Gjithkush mund të bëjë një gabim, por ky gabim ishte shumë, shumë i madh për mua, pasi është një ëndërr të luash në Kupën e Botës”. Kiliani Vidal pranoi se ai ishte i befasuar nga kartoni i kuq. “Unë ndjeva bërrylin e tij në qafën time”, - tha Vidal. “Përfundimisht ishte për karton të verdhë, por nuk e parashikoja se ai do të nxirrej jashtë”. Trajneri i Zvicrës, Otmar Hitcfeld, tha duke akuzuar lojtarin kilian për shfaqjen e treguar: “Kartoni i kuq nuk ishte një i tillë nga këndi im i vështrimit”. “Të marrësh një karton të ku e bën të vështirë të mbrosh qëllimin tënd për 60 minuta të tjera, veçanërisht për ekipe të tilla si Kili”, - tha Hitcfeld. “Kartoni i kuq nuk ishte as për karton të verdhë. Sigurisht, që unë jam i nervozuar”. Kili festoi pasi futi topin në rrjetë, por tre nga lojtarët e tyre ishin në pozicion jashtë loje. Pasi Gonzales shënoi, secili ekipi pari shanse për të shënuar. Zvicra, që mundi Spanjën në ndeshjen e parë (1-0), tashmë ka 3 pikë kur ka mbetur edhe një takim kundër Hondurasit, por ka golaverazhin 1-1. Lojtari tjetër shqiptar i aktivizuar si zëvendësues te Zvicra, sulmuesi Albert Bunjaku, dha një pas të artë disa minuta përpara përfundimit të ndeshjes, por Eren Derdjok nuk arriti të barazojë rezultatin, duke mos gjuajtur saktë. Zvicër-Honduras dhe Kili-Spanjë janë dhe ndeshjet e fundit të grupit H, takime që do të luhen të premten në mbrëmje. “Ne jemi në pozicion të mirë dhe ne kemi edhe një ndeshje akoma për të provuar veten”, - tha Gonazales, duke iu referuar ndeshjes kundër Spanjës në Pretoria. Trajneri Hitcfeld tha se ai ishte i bindur se Zvicra do të përparojë pavarësisht numrit të pikëve që ka aktualisht. “Unë jam i sigurt, se nëse ne do të fitojmë kundër Hondurasit ne do të kualifikohemi për raundin me 16 skuadra”, - tha trajneri i Zvicrës.
22 Qershor 2010