Tërmeti në Itali, shkon në 9 numri i viktimave

Një lëkundje e fortë sizmike është regjistruar sërish në të gjithë italinë e veriut. Lëkundja ka patur magnitudë 5.8 ballë i shkallës rihter, ndërsa edhe këtë radhë është regjistruar në Emilia, province e Modena-s. Autoritetet raportojnë për të paktën 9 të vdekur. Paniku është rikthyer sërish tek popullsia e zonës ku u regjistrua tërmeti mengjesin e së martës, origjina e të cilit është lokalizuar në rajonin Emilia Romanja.
Sipas mediave lokale, fuqia e lëkundjes sizmike është ndjerë në qytetet Milano e Bolonja, ku punonjës të sektorit publik janë evakuuar nga ndërtesat. Epiqendra e tërmetit është lokalizuar rreth 40 kilometra në veri të Bolonjës dhe 60 kilometra në lindje të Parmës, në një thellësi prej 9.6 kilometrash. Lëkundja është regjistruar në orën 09:03 sipas orës lokale. Tërmeti i së martës, pason tërmetin 6-ballësh të 20 majit, kur shtatë persona u vranë dhe shumë ndërtesa u shembën.
Ai tërmet shkatërroi disa ndërtesa shekullore dhe kulturore të Italisë, ndërsa ishte më i rëndi që goditi vendin që prej tërmetit të vitti 2009 në Akuila, ku humbën jetën afërsisht 300 persona. Lëvizja sizmike e së martës bëri që të shemben ato ndërtesa që ishin dëmtuar nga tërmeti i pak ditëve më parë. Ndërsa ka patur tronditje dhe shembje ndërtesash në Mirandola, Finale Emilia e San Felice sul Panaro.