Terminali i pasagjerëve, vonon dy vjet
Ndonëse duhej të kishte përfunduar në pranverën e këtij viti dhe t’u ofronte udhëtarëve kryesisht emigrantëve të kësaj stine ambiente dhe kushte të standardeve bashkëkohore, terminali i ri i pasagjerëve në Portin Detar të Durrësit vazhdon të jetë në punime e sipër. Jo vetëm ky sezon fluksi, por edhe ai i ardhshmi, në fund të vitit, nuk do ta kenë terminalin e ri në funksionim. Në një nga pikat më të mëdha kufitare në vend, në Portin Detar të Durrësit punimet vazhdojnë për mbylljen e një prej investimeve më të rëndësishme në hapësirën portuale gjatë dy viteve të fundit. Janë 15.2 milionë euro të vëna në dispozicion të këtij investimi të rëndësishëm që do të zgjidhë më së miri një problem të madh të pritjes e përcjelljes së njerëzve në Portin Detar të Durrësit. Fondet janë të Bankës Europiane të Investimeve (BEI) dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Zyrtarisht, nga Autoriteti Portual Durrës, që u referohet informacioneve të sektorit inxhinierik pranë këtij autoriteti mësohet se projekti “Ndërtimi i terminalit të trageteve dhe infrastrukturës së shesheve” ndiqet nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit dhe ka një vlerë kontrate prej 15 183 262 eurosh. Sipërmarrësi i këtij ndërtimi është kompania sllovene “SCT dd Lubiana”, ndërsa Supervizori “DIWI Consulting Internacional Albania” GMBH nga zona e Esenit në Gjermani dhe Peter Fraenkel and Partners. Punimet për ndërtimin e terminalit të ri, që ka qenë pjesë e projekteve të portit ndër vite, nisën zyrtarisht më 16 qershor të vitit 2008 dhe duhej të përfundonin më 17 prill të këtij viti, në një periudhë 22-mujore. Por kanë kaluar 25 muaj dhe objekti ende nuk ka përfunduar. Në një njoftim për median, Autoriteti Portual Durrës bën të ditur ecurinë e punimeve të kryera, ndërkohë që pjesë e vonesave në punime duket se kanë qenë dhe përplasjet mes bashkisë dhe Autoritetit Portual për mbikalimin e pasagjerëve. Gjithsesi edhe firma zbatuese ka pasur pjesën e vet në shtyrjen e afateve, ndërsa nuk bëhet e ditur se kur do të dorëzohet i gjithë investimi për t’u vënë në shërbim të pasagjerëve. Terminali nuk mundi të vihet në dispozicion të këtij sezoni të nxehtë turistik që sjell në Shqipëri përmes Portit Detar të Durrësit dhjetëra mijëra emigrantë shqiptarë e kosovarë, turistë të huaj ditorë dhe udhëtarë të ndryshëm e biznesmenë. Përfundimi i punimeve dhe dorëzimi i objektit nuk do të bëhet as për festat e fundvitit, një tjetër periudhë fluksi në lëvizjet hyrëse dhe dalëse nga porti. Kështu, koha për të provuar terminalin e ri të pasagjerëve dhe lehtësirat që ai ofron në përpunim do të zgjasë. Në terminalin e ri është parashikuar që në përfundim të përpunohen njëkohësisht dy mijë udhëtarë dhe dy mijë automjete. Kjo i jep një dimension të ri përpunimit në sasi dhe me cilësi të njerëzve dhe mjeteve, duke shmangur pakënaqësitë e zakonshme të krijuara në periudha fluksesh. Sipas zëdhënëses së Autoritetit Portual Durrës, ndërtimi i këtij terminali është ndarë në dy faza, të cilat priten të përfundojnë në periudha të ndryshme të këtij viti. Faza e parë përfshin “Pjesën e eksportit” që ndodhet në pjesën perëndimore të terminalit të trageteve dhe punimet e kësaj faze priten të përfundojnë në fund të muajit korrik 2010. Sipas specialistëve të portit, punimet deklarohet të jenë shumë cilësore. Ndërkaq, faza e dytë përfshin “Pjesën e importit” dhe kjo ndahet në dy nënfaza. E para përfshin ndërtimin e godinës së terminalit dhe mbikalimin e pasagjerëve, ndërsa nënfaza e dytë përfshin sistemimin e sheshit të importeve në zonën lindore të terminalit. Sipas informacioneve që i referohen sektorit inxhinierik, ndërtimi i godinës së terminalit dhe mbikalimit të pasagjerëve është në proces dhe pritet të përfundojë në fund të 2010-s, ndërkohë që pritet të fillojnë punimet për sistemimin e sheshit të importeve në pjesën lindore të terminalit. Përveç mjediseve të terminalit të mbuluar që ka një sipërfaqe prej 5 mijë metrash katrorë, punimet kanë përfshirë edhe krijimin e sistemeve moderne të ndriçimit, sinjalizimit dhe kanalizimeve, si dhe betonimin e një territori të përgjithshëm prej 63 mijë metra katrorësh.
#