Gjaku, bluzat e bardha, të detyruar për dhurim vullnetar
Për herë të parë, me një udhëzim të veçantë të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, këtë vit u hartua programi për organizimin e sesioneve të dhurimit vullnetar të gjakut nga personeli i institucioneve shëndetësore në të gjithë vendin.
Kjo për shkak të vështirësive të përballimit të nevojave me gjak gjatë periudhës së verës. Në bazë të këtij udhëzimi, deri tani, përveç stafit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, kanë dhuruar gjak një sërë institucionesh të tjera si në Shkodër, Lezhë, Vlorë, Lushnjë. Në muajt në vazhdim ky aktivitet do të vijojë me rajonet e Korçës, Beratit, Elbasanit, Durrësit, Gjirokastrës, Kukësit dhe Dibrës. Ndërkohë procesi i dhurimit vullnetar të gjakut nga institucionet shëndetësore është në vazhdimësi dhe fushata do të vijojë deri në mesin e muajit shtator, kohë në të cilën nis të rritet numri i dhurimeve vullnetare për shkak të rifillimit të aktiviteteve pas pushimeve të sezonit veror, si dhe operacioneve me planifikim.
Si rezultat i dhurimeve, gjatë muajit korrik janë arritur të plotësohen nevojat e spitaleve për gjak dhe veçanërisht për të sëmurët kronikë që bëjnë transfuzione të shpeshta gjaku.
Gjithashtu me sukses janë përballuar edhe situatat e vështira sikurse janë aksidentet e shpeshta rrugore dhe traumat që konstatohen në mënyrë frekuente në rrugët tona.
Ministria e Shëndetësisë, nisur nga fakti që sigurimi i gjakut nuk është vetëm detyrë e personelit mjekësor, gjen rastin për t’u bërë apel të gjithë qytetarëve të cilët e ndiejnë veten të shëndetshëm për të dhuruar gjak, që të japin kontributin e tyre në këtë drejtim. Ata mund të drejtohen pranë bankave të gjakut që ndodhen pranë çdo spitali në Tiranë dhe në rrethe. “Ministria e Shëndetësisë falënderon në mënyrë të veçantë të gjithë personelin mjekësor për mbështetjen dhe kontributin e dhënë ndaj kësaj nisme. Një tjetër falënderim shkon edhe për partnerët tanë të përfshirë në promovimin e dhurimit vullnetar të gjakut, si për Shoqatën e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut dhe për Kryqin e Kuq Shqiptar, me të cilët jemi të hapur për çdo bashkëpunim”, ka theksuar ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
#