Terror me armë në derën e një buzuku
Dy persona janë përplasur me armë në një buzuk në Tiranë pas një konflikti në gjendje të dehur në ambientet e tij. Ngjarja ndodhi dje, në orët e para të ditës, kur disa persona kanë dalë nga ambientet e brendshme të buzukut dhe kanë qëlluar me armë zjarri në ajër. Burime nga policia thanë se dyshohet që personat, ende të paidentifikuar, të cilët qëlluan me armë zjarri kishin konsumuar alkool në buzuk. Ata kanë qëndruar për disa orë në buzuk, ku dyshohet se kanë nisur një sherr me disa persona të tjerë dhe më pas kanë dalë jashtë për të vazhduar sherrin. Sipas policisë pavarësisht ndërhyrjes së truprojave të buzukut, të dyshuarit nuk kanë nguruar të nxjerrin një pistoletë dhe ta zbrazin atë në ajër. Pas një telefonate që ka mbërritur në Policinë e Tiranës, forca të shumta policie shkuan pranë buzukut për të identifikuar dhe kapur autorët. Sipas policisë, në vendngjarje u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale katër gëzhoja, të cilat u dërguan në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa materialet do t‘i kalojnë Prokurorisë, për veprat penale të "prishjes së qetësisë publike" dhe "mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake".