E Diel, 1 Nëntor 2026

Krerët e Kosovës: Treguam pjekurinë e shtetit demokratik

Krerët shtetërorë të Kosovës e kanë vlerësuar lart procesin zgjedhor në Kosovë. Presidenti Sejdiu, Kryeministri Thaçi dhe Kryetari i Kuvendit Krasniqi, në paraqitjet e sotme vlerësuan se me këtë proces Kosova tregoi se ka arritur pjekuri të lartë të funksionimit të demokracisë në vend. Ata thanë se ky proces zgjedhor do të jetë shembull edhe për vendet e rajonit. Shteti i Kosovës, populli dhe institucionet e saj, duhet të ndihen krenare për nivelin e pjekurisë politike dhe institucionale që kanë arritur duke organizuar në mënyrë të pavarur zgjedhje demokratike të standardeve europiane, thanë krerët shtetërorë të Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova e dha me sukses provimin për zhvillimin e demokracisë në vend dhe me këtë u dëshmua stabiliteti i qëndrueshëm i institucioneve shtetërore. "Ky proces i menaxhuar për herë të parë nga institucionet e vendit, pas pavarësisë, është menaxhuar mirë dhe si i tillë na jep mundësinë dhe paralelisht krenarinë e përbashkët si institucione dhe qytetarë se mund të bëjmë procese të mëdha dhe mund t‘i bëjmë mirë", ka thënë Presidenti Sejdiu. Kryeministri Thaçi tha se me këtë proces zgjedhor Kosova u dëshmua si kampion i demokracisë në rajon. Para së gjithash ai ka vlerësuar lart sjelljen e të gjitha subjekteve politike që nga fillimi i fushatës e deri me pranimin unanim të rezultatit të zgjedhjeve. Ndryshe Thaçi tha se këto zgjedhje e kanë konsoliduar fuqishëm qeverinë dhe institucionet e vendit. "Me suksesin e plotë dhe shumë të fuqishëm të institucioneve tona, në këto zgjedhje ne e kemi afruar Republikën e Kosovës edhe më afër integrimit në BE dhe NATO. Ne do të vazhdojmë me reformat demokratike në të gjitha aspektet", ka theksuar Kryeministri Thaçi. Vlerësim të ngjashëm ka bërë edhe Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. "Konsideroj se janë zgjedhjet më të mira të organizuara gjatë gjithë këtyre viteve në Kosovë dhe demokracia jonë dha një sprovë historike të rëndësishme për proceset demokratike", ka deklaruar kryeparlamentari Krasniqi. Krerët shtetërorë të Kosovës kanë vlerësuar edhe përqindjen e lartë të daljes së qytetarëve në këto zgjedhje, sikur edhe daljen e qytetarëve nga komuniteti serb. Për sa u takon komunave veriore, ku serbët i bojkotuan zgjedhjet, Presidenti dhe Kryeministri thanë se zgjidhja për to do të bëhet në koordinim me faktorin ndërkombëtar. Kurse për sa i takon vonesës së shpalljes së rezultateve të para nga ana e KQZ-së, Presidenti Sejdiu bëri vërejtje për këtë vonesë, por arsyetoi me faktin që është hera e parë që KQZ-ja i organizon vetë zgjedhjet. Ndërsa Kryeministri Thaçi e kryeparlamentari Krasniqi thanë se është e rëndësishme që organizimi i zgjedhjeve ishte i shkëlqyeshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›