E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, fituesi caktohet në balotazh

Nga zgjedhjet vendore të 15 nëntorit në Kosovë ende nuk ka dalë asnjë fitues i madh e i vetëm. Kjo, sepse vetëm në 14 komuna nga 36 gjithsej kanë arritur të nxjerrin kryetarin e ri. Ndërsa 22 të tjerat do të zhvillojnë raundin e dytë të zgjedhjeve, ku do të garojnë kandidatët që kanë marrë më shumë vota. Komisioni Qendror Zgjedhor mbrëmë në orën 20.00 ka dhënë rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale nëpërmjet kryetares Nesrin Lushta, e cila ka rikujtuar faktin se këto rezultate mund të pësojnë ndryshime, pasi aty nuk përfshihen votat me kusht, duke shtuar se në disa vendvotime ende nuk është bërë numërimi i votave. Në raundin e parë kryeson Partia Demokratike e Kosovës, me 6 komuna të fituara, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet e dyta me katër komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar tre, Partia Liberale Serbe ka fituar tre komuna, Iniciativa Qytetare Serbe ka fituar një komunë, ndërsa partia e minoritetit turk ka fituar një komunë. Kështu, partia e Hashim Thaçit ka triumfuar bindshëm në bastionin e saj Drenicë, ku ka korrur fitore në Drenas e Skënderaj. PDK-ja ka fituar gjithashtu edhe në qytetin lindor të Ferizajt, pranë së cilit është ngritur baza e madhe amerikane e Bond Still-it, por edhe në komunën e veriut të Zubin Potokut, në Shtime dhe Hanin e Elezit, që është edhe vija kufitare me Maqedoninë. Forca politike që drejton Ramush Haradinaj ka arritur të konfirmohet sërish si parti fituese në Rrafshin e Dukagjinit, ku ka marrë qytetin e rëndësishëm të Gjakovës, Komunën e madhe të Deçanit, Zveçanit dhe Albanikut.
Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, partia që drejtohet nga Presidenti Fatmir Sejdiu, ka fituar bindshëm Komunën e madhe të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinën, Komunën e Podujevës në verilindje, si edhe Komunën e Fushë-Kosovës, në jug të kryeqytetit.
KDTP-ja, parti e minoritetit turk, ka marrë Komunën e Mamushës, ndërsa Partia Liberale Serbe fitoi në Graçanicë dhe Kllokot. Iniciativa Qytetare doli fituese në Komunën e Ranillukut.
Balotazhet
Duelet e egra pritet të zhvillohen pas dy javësh në disa prej qyteteve kryesore të Kosovës, si Mitrovica, Prizreni, Peja dhe Gjilani, por edhe 18 komuna të tjera. Në Komunën e Prizrenit dërgojnë në balotazh kandidatin e PDK-së me 33.01% dhe atë të LDK-së me 29.88%. Edhe në Rahovec në balotazh do të jenë kandidati i PDK-së me 33.50% me kandidatin e LDK-së, që ka marrë 23.12% të votave. Komuna e Gjilanit, po ashtu do të jetë në balotazh me kandidatin e PDK-së me 37.34 dhe atë të LDK-së me 29.33%. Në Mitrovicë në balotazh mësohet se do të jenë kandidati i PDK-së me 39.29% dhe ai nga radhët e AKR-LDD me 25.95%. Klina do të ketë për në balotazh kandidatin e PDK-së me 39.45% kundër kandidatit të AAK-së me 31.60%. Në Pejë, kandidati i AAK-së me 41.14% do të jetë në balotazh me atë të PDK-së, që ka 14.33% të votave. Edhe Komuna e Obiliqit do të ketë në balotazh kandidatin e PDK-së me 32.40%, kundër atij të AAK-së me 28.93%.
Vëzhguesit
Rrjeti Europian i Organizatave të Monitorimit të Zgjedhjeve (ENEMO) ka publikuar raportin mbi gjetjet që kanë bërë vëzhguesit gjatë fushatës zgjedhore dhe ditës së zgjedhjeve, për zgjedhjet lokale 2009. Zgjedhjet komunale dhe për kryetar të komunave në Republikën e Kosovës kanë përmbushur shumë nga standardet ndërkombëtare për zgjedhje, sidoqoftë një situatë e ndërlikuar politike ka çuar në paaftësinë e një pjese të elektoratit të ushtrojë të drejtën e tyre për votim në disa zona, thuhet në njërin nga konkluzionet e ENEMO-s. Darko Aleksov nga ENEMO tha se KQZ-ja është përpjekur të krijojë kushtet e nevojshme për një mbarëvajtje efikase dhe pozitive të procesit zgjedhor. Kjo punë është bërë në mënyrë transparente për tejkalimin e pengesave dhe sfidave, me të cilat janë përballur në zgjedhjet e para pas pavarësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›