E Diel, 1 Nëntor 2026

Dell: Kosova, krenare për zgjedhjet

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Kristofer Dell, nëpërmjet një deklarate ka vlerësuar me nota të larta zgjedhjet lokale të së dielës në Kosovë, duke thënë se "Kosova dhe qytetarët e saj mund të jenë shumë krenarë". Votuesit e Kosovës, politikanët e saj, dhe zyrtarët të ngarkuar me organizimin, thuhet në deklaratë, i kanë treguar botës se "një Kosovë e pavarur është një vend ku demokracia mund të lulëzojë dhe lulëzon". Dell i shpreh mirënjohje numrit të madh të qytetarëve të Kosovës për të shkuar në votime dhe për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike. "Votat tuaja theksuan se një qytetari aktive dhe e angazhuar është jetike për një demokraci të shëndoshë", thotë Dell dhe i inkurajon që të mbeten të angazhuar kur fletëvotimet të numërohen dhe rezultatet të shpallen. Gjithashtu Dell serbëve që votuan dje u shpreh mirënjohje për vendimin dhe guximin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje. "Në mënyrë të drejtë ju e pranuat se zgjedhjet ju japin një mundësi unike për të formësuar ardhmërinë tuaj dhe ardhmërinë e komuniteteve tuaja", thekson Dell dhe pret prej tyre që të vazhdojnë punën që të përmbushet premtimi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve. Gjithashtu, Dell u shpreh mirënjohje partive politike dhe politikanëve që kanë bërë "fushata energjike dhe përgjithësisht pa incidente", të cilat, sipas tij, "ishin të bazuara në çështje reale, si shkollat, ekonomia dhe shërbimet komunale, që me të vërtetë kanë rëndësi për votuesit tuaj". Dell porosit fituesit se janë të obliguar të qeverisin me transparencë dhe të marrin vendime që i çojnë përpara aspiratat e votuesve të tyre për të jetuar në një Kosovë demokratike, shumetnike dhe prosperuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›