Terror në Teatrin e Mariupolit, dyfishohen viktimat, 600 të vdekur! Të mbijetuarit: Rrënojat e tij janë një varr masiv

Bombardimi i teatrit të Mariupolit më 16 mars nga forcat ruse ku strehoheshin mbi 1200 civilë ishte një nga masakrat më të mëdha të Rusisë, që nxiti Ukrainë të kërkonte hetim për krime lufte. Tragjedia në këtë teatër vijon të thellohet edhe më shumë ku mendohet se viktimat janë mbi 600 persona, gati dyfishi i vlerësimit të mëparshëm të qeverisë së Ukrainës.
Ndërsa të mbijetuarit nga sulmi i teatrit thonë se “ai është një varr masiv, ku me qindra trupa të tjerë ndodhen nën rrënoja, por ende nuk ka shkuar kush që t’i nxjerrë”. Sulmi la pas kufomat të shpërndara kudo, duke përfshirë edhe ato të fëmijëve që ishin të shumtë që strehoheshin aty.
Teatri i Mariupolit u kthye në një strehë për civilët kundër bombardimeve ruse, për shkak të madhësinë e saj me muret jashtëzakonisht të forta dhe bodrumin e saj të madh, ndërkohë që sulmet ruse në qytet sa vinin dhe shtoheshin.
Një ditë para bombardimit në dyshemenë e oborrit të teatrit u shkruajt me bojë me germa të mëdha, që mund të lexoheshin edhe nga satelitët, fjala ‘Fëmijë’ për të shmangur bombardimet nga ajri, por kjo nuk pengoi forcat ruse të shkatërronin teatrin me bombat e tyre .
Mes të gjitha tmerreve që janë shpalosur në luftën kundër Ukrainës , bombardimi rus i teatrit më 16 mars është sulmi më vdekjeprurës i njohur kundër civilëve deri më sot. Mariupol është kthyer në simbolin e shkatërrimit nga forcat ruse por edhe i rezistencës nga Ukraina.
Teatri elegant kishte qëndruar në një shesh në zemër të Mariupol për më shumë se 60 vjet, një ndërtesë guri me shtylla të bardha dhe një çati të kuqe dalluese. Sot në të ka rrënoja dhe kur të vendoset të gërmohet në to, kufomat që do dalin do jenë të panumërta. / Associated Press
/rtsh.al/