Terroristi mban në ankth Francën, vrasësi do dorëzohet në mbrëmje
Vrasësi i Tuluzës, që duhet të dorëzohej gjatë paradites, e ka shtyrë për në mbrëmje dorëzimin e tij tek forcat e policisë. Lajmin e ka bërë të ditur prokurori i Parisit, Francois Molins.
Më herët, ministri i Brendshëm i Francës, Claude Gueant, përgënjeshtroi lajmin se përgjegjësi për masakrat në të cilat kanë humbur jetën shtatë persona ishte prangosur.
Në një komunikim për mediat franceze, ai përgënjeshtroi versionin e përhapur më parë nga mediat ndërkombëtare, ndërsa konfirmoi se policia vazhdon të mbajë të rrethuar të dyshuarin.
Ministri konfirmoi se personi në fjalë është një shtetas francez me origjine algjeriane, 24-vjeçar, i lidhur me Al Kaeden dhe i identifikuar si Mohamed Merah.
Më parë u përfol se vrasësi u vetdorëzua, por diçka e tillë nuk rezulton të jetë e vërtetë dhe se ai ende po reziston brenda banesës së tij. Sipas mediave, besohet se i riu ka dashur të “hakmerret për fëmijët palestinezë dhe për operacionet ushtarake të Francës jashtë kufijve”, kur ka kryer atentatin në shkollë duke vrarë tre fëmijë dhe një mësues. Më parë, ai kishte vrarë edhe tre ushtarë.