PD feston 20-vjetorin e fitores në zgjedhjet e 22 marsit

Partia Demokratike feston sot 20-vjetorin e fitores së saj në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992. Demokratët do ta festojnë këtë ditë me një koncert/miting të organizuar në orën 12:00 në sheshin "Nënë Tereza" në kryeqytet.
Kjo festë u paralajmërua në mbledhjen e 16 marsit, që kryeministri Berisha zhvilloi me krerët lokalë të PD-së. Berisha tha se fitorja e Partisë Demokratike në 22 mars të vitit 1992 i ndau përfundimisht shqiptarët nga një regjim skllavërues në regjimin e lirisë.
Sipas tij gjatë këtyre 20 viteve e djathta ka punuar në vazhdimësi me reformat për të bërë të mundur proceset integruese të vendit në strukturat më të rëndësishme ndërkombëtare.
Gjithashtu kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se 22 marsi do të shënojë çeljen e anëtarësimeve të reja deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të qershorit të vitit 2013.
20-vjetori i fitores së parë në zgjedhje përkon me vitin e 100-vjetorit të pavarësisë, arsye kjo që sipas demokratëve festimet duhet të bëhen madhështore.
Në 22 marsi 1992, Partia Demokratike fitoi zgjedhjet parlamentare, duke marrë një fitore masive në mbarë vendit, gjë që përmbysi një herë e mirë regjimin diktatorial të Ramiz Alisë.