Nis i tensionuar gjyqi i Ruzhdies

Nis procesi gjyqësor për zgjedhjet e 28 qershorit në Komunën Ruzhdie. Dosjes gjyqësore i janë shtuar edhe emrat e tre të pandehurve, përfaqësues të Partisë Socialiste, si dhe një banori të zonës. Ndërsa pesë përfaqësuesit e PD-së dhe PR-së po përballen me akuza për vepra penale, tre përfaqësuesit e PS-së dhe banori i Ruzhdies sipas organit të akuzës, dyshohen se kanë kryer kundërvajtje penale.
Duket se gjyqi për zgjedhjet e shumëpërfolura të Ruzhdies do të zvarritet. Të paktën kështu mendojnë përfaqësues të organit të akuzës fierake dhe të gjykatës, të cilët janë shprehur për gazetën “Shqip” se: “ka gjasa që gjyqi ndaj 9 të pandehurve të Ruzhdies do të zgjasë jashtë çdolloj parashikimi. Përfshirja e shumë të pandehurve brenda një dosjeje mund të sjellë zvarritje të tilla. Madje, edhe akuzat e ngritura për nëntë të pandehurit janë të ndryshme dhe shihen si një faktor më shumë për zvarritje”.
Kjo është vërtetuar edhe në seancën e parë, atë të zhvilluar paraditen e së hënës. Pesë të pandehurit, përfaqësues të PD-së dhe PR-së janë: Bujar Kararaj, Shezaim Kararaj, Veledin Myftaraj, Robert Myftaraj dhe Pëllumb Myrtaj. Ndërkohë që tre përfaqësuesit e PS-së janë: Pëllumb Ferzaj, Qazim Aliaj dhe Ervin Myftaraj, ndërsa qytetari i vënë në akuzë për votim më shumë se një herë është Elmaz Donaj. Në sallën e gjyqit ka munguar Qazim Aliaj, i cili nuk kishte marrë fletëthirrjen për në seancë. Ndërkohë, pesë përfaqësuesit e PD-së dhe PR-së, si dhe Elmaz Donaj banor i Ruzhdies kanë kërkuar dy javë kohë për të gjetur një avokat mbrojtës, ndërsa Pëllumb Ferzaj dhe Ervin Myftaraj përfaqësues të PS-së kanë deklaruar në sallën e gjyqit se do të përfaqësohen me avokatët Rozeta Plaku dhe Vladimir Cjapi. Prokurori i çështjes, çlirim Sinaj, pasi ka dëgjuar të pandehurit prezentë në sallën e gjyqit ka kërkuar prej gjyqtari shtyrje të seancës gjyqësore. Gjyqtari Roland Jaupaj ka pranuar kërkesën dhe ka vendosur që seanca e radhës të jetë në datën 26 prill.
PërplasjaSeanca e parë e çështjes “Ruzhdie” është shoqëruar me polemika. Përfaqësuesit e së djathtës mbështeteshin në sallën e gjyqit nga më shumë se 30 anëtarë të degëve të PD-së dhe PR-së lokale. Ata kryesoheshin nga kryetari i Komunës Ruzhdie, Pajtim Gllava, i cili ka qenë i ulur mes grupit të mbështetësve. Ndërkohë që dy përfaqësuesit e së majtës kanë pasur si mbështetës vetëm tre persona të afërt. Mes përfaqësuesve të dy kampeve politike ka pasur tension, por fatmirësisht nuk ka pasur përplasje fizike. Debate të ashpra janë shënuar mes një mbështetësi të së djathtës, si dhe gazetarit të TV “Vizion Plus”. Më pas në debat janë përfshirë gazetarë të tjerë, si dhe një pjesë e mbështetësve të të djathtëve. Ndërsa gazetari ka qenë duke filmuar, një nga mbështetësit e PD-së ka kërcënuar me fjalë dhe ka arritur deri në fyerje personale. është dashur ndërhyrja e kryetarit të komunës, Pajtim Gllava, që situata të zbutej, ndërkohë që shumë nga mbështetësit e së djathtës kanë akuzuar mediat për këtë skandal. Hetimet për zgjedhjet e Ruzhdies kanë nisur dy ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Ka qenë subjekti politik i PS-së, si dhe KQZ-ja që kanë paditur komisionerët e djathtë, ndërsa vijimi i hetimeve, që ka kaluar edhe fazën e hapjes së kutive, ka nxjerrë përpara gjykatës edhe komisionerët e majtë për braktisje të detyrës.
#