Terry zihet në marrëveshje të fshehtë

Kapiteni i Chelseas, John Terry ka rënë në grackë të revistës angleze, News of the World, që në mënyrë të fshehtë e ka xhiruar yllin anglez duke marr 10 mijë funta nga një gazetar i ‘mbuluar’.
Ai ishte takuar me shitësin e biletave Tony Bruce duke e shoqëruar për një turne në dhomat private të klubit, ndërsa ishte paguar në një restorant, ku vetëm disa metra larg gjendej menaxheri Carlo Ancelotti, i cili ishte duke ngrënë gjatë asaj kohe. Bruce e kishte paralajmëruar Terryn se nëse shfaqen probleme, ai do të mohojë se Terry është i përfshirë.
“Nëse diçka shkon keq, do të them ‘Johni nuk ka ditur asgjë rreth kësaj’, i tha Bruce. Kur Bruce i përmendi paratë, gazetari i News of the World tha: “Këtu i kam 10 mijë funta”.
Bruce tha: “Në rregull, m’i jep mua”, ndërsa Terry shtoi: “Po, jepja Tonyt”. Terry dukej i gëzuar, derisa i mori paratë, ndërsa e gjithë ngjarja ishte xhiruar nga ekipi i News of the World. Ngjarja është turpëruese për Terryn, i cili përfiton 180 mijë funta në javë. Mirëpo, e vetmja gjë pozitive rreth kësaj është fakti se Terry ka thënë se 8000 funta do t’i dhuroj për bamirësi, ndërsa Bruce do t’i marrë 200 funta të pjesës së tij.