Kastrioti dimëron i pari

Kastrioti është shpallur të dielën kampion i vjeshtës, në Superligën e Kosovës në hendboll. Ferizajasit, me 26 pikë të grumbulluara nga 14 xhiro të zhvilluara, me meritë do të dimërojnë në vendin e parë, duke lënë prapa kampionin aktual, Prishtinën, dhe rivalin e vjetër, Besa Famiglia.
Kastrioti bëri përforcime në fillim të sezonit dhe deshi çka kërkoi. “Ne jemi përcaktuar qysh në start të kampionatit se çka dëshirojmë. I kishim ambiciet e qarta qysh në fillim, pasi bëmë përforcime”, ka thënë trajneri Fatmir Syla për Express.
Edhe pse kanë mbetur pa lojtarin kryesor, Muhamet Maloku, i cili karrierën do ta vazhdojë në Belgjikë, ferizajasit synojnë që t’i vazhdojnë sukseset edhe në pranverë. Syla i ka treguar edhe objektivat e klubit.
“Ne synojmë ta mbrojmë trofeun e Kupës së Kosovës, dhe mbi të gjitha titullin e kampionit, i cili i mungon klubit tonë qe 8 vjet. Jemi 3 pikë në përparësi ndaj Prishtinës dhe kemi një lloj komoditetin në pranverë. Besoj në titull të kampionit”, shtoi Syla.
Trajneri ferizajas në fund theksoi se zyrtarët e klubit do të mundohen që ta gjejnë zëvendësuesin adekuat të “Mujës”, me ndonjë hendbollist të jashtëm, pasi që ai konsideroi se në Kosovë tregu i hendbollistëve është i varfër.
Superliga
Tabela e vjeshtës ND PI
1. Kastrioti 14 26
2. Prishtina 14 23
3. Besa Famiglia 14 20
4. Vëllaznimi 14 12
5. Trepça 14 12
6. Kosova 14 11
7. Drenica 13 6
8. Rahoveci 13 0