"As lulishte, as pallat, toka do të shitet"
***
Kryeministri shet truallin në qendër të Tiranës me 2000 (mijë euro) metrin katror
Një javë pas fillimit të konfliktit mes Bashkisë së Tiranës dhe Policisë së Shtetit për
truallin në qendër të kryeqytetit, kryeministri Sali Berisha deklaroi se aty nuk do të ndërtohet as një lulishte dhe asnjë objekt shumëfunksional. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë Kryeministri ka propozuar alternativën e qeverisë që ai drejton në lidhje me këtë konflikt.
"Ne do të shesim truallin me 2000 (mijë euro) metrin katror, në përputhje me planin e qytetit që ndërtohet",- u shpreh kryeministri duke shtuar se nuk bëhet fjalë për shuma të vogla, por për të paktën 110 milion euro. Shitja e tokës do të bëhet në një ankand me qëllim kompensimin financiar të ish pronarëve. I gjithë fondi që do të përftohet nga shitja, që llogaritet të kapë shifrën e 112 milion euro, do të kalojë për kompensimin e pronarëve.
Por, përpara se të ndërmerret një veprim i tillë, duhet ndërhyrë në legjislacion,- është shprehur kryeministri pasi sipas tij ka një problem me ligjin e vitit 1994, ku qeveria nuk lejohet të shesë tokën publike përveçse me vendim të Këshillit të Ministrave, për qëllime të caktuara.
Me këtë vendim Berisha hodhi poshtë propozimin e bërë nga Ministri i Transporteve Sokol Olldashi për ndërtimin në këtë tokë të një lulishteje, por gjithashtu mohoi edhe projektin e Bashkisë për ndërtimin e një objekti shumë funksional. Madje në marrjen e këtij vendim kreu i qeverisë nuk ka llogaritur as dokumentet e paraqitura nga administratori i përgjithshëm i Bashkisë, Dritan Agolli të cilat vërtetojnë pronësinë e familjes Kika dhe komunitetit Mysliman.
Fjala e Berishës për dhënien fund abuzimeve me dokumentacionet, të cilat krijojnë pronarë të paligjshëm, (në këtë rast Bashkia) në toka publike mund të konsiderohet si një përgjigje ndaj dokumenteve të paraqitura nga Bashkia.
Me tej Ministrit të Punëve Publike i është kërkuar verifikimi i gjithë dokumentacionit për qendrën e Tiranës, "Për të shmangur në këtë mënyrë përvetësimet e padrejta të tokës publike",- është shprehur kreu i qeverisë.
Kryeministri deklaroi se të gjitha shpronësimet e bëra nga mbreti Zog i I-rë, në këtë zonë të qytetit, kanë marrë kompensimet përkatëse. Berisha bëri një pasqyrë historike që nga viti 1932, për të treguar se toka në qendër të Tiranës ishte pronë publike dhe pas shpronësimit nga mbreti Zog, nuk i përket askujt tjetër veçse shtetit. "Qendra e Tiranës në çdo centimetër të saj ishte vetëm tokë publike me dokumentet më të qarta.
Dua të rikujtoj se ndërtesa e Ministrisë së Kulturës sipas atlaseve dhe të gjitha dokumenteve është ndërtuar në vitin 1932 nga lartmadhëria e tij Mbreti Zog i I-rë, i cili në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast nuk i ka përvetësuar kujt pronën, por ka shpronësuar në përputhje me kodin civil",- u shpreh Berisha duke "urdhëruar" ministrin Olldashi t'u japë mediave fotografitë që do të vërtetonin fjalët e tij.
Sipas dokumenteve, që disponon qeveria në këtë zonë në fund shekullit të XIX, ka qenë ndërtuar një barakë, e cila mund të ketë shërbyer si kazermë ushtarake turke. Po sipas këtyre dokumenteve me pas aty ka qenë një dhomë tregtie, më vonë spital austro-hungarez e pastaj gjimnaz. Ndërsa për dy dekadat e fundit ajo ka qenë një pronë e pashfrytëzueshme dhe arsyeja po zbulohet nga dita në ditë.
Dje
Sokol Olldashi
Toka në qendër është shtetërore
"Në bazë të dokumentit të qeverisë, toka është futur në fondin e Agjensisë për kthimin dhe kompensimin e pronave më datë 19 dhjetor 2007. Në bazë të dokumentit të hipotekës, kjo tokë rezulton pronë e regjistruar me pronarë të ligjshëm në datën 15 janar 2008.
Nuk kemi ndërhyrë në pronë private, por në shtetërore. Ne i kemi kthyer qytetarëve një hapësirë për lulishte dhe nuk e lamë zonën në një gropë plehrash, përsa kohë aty nuk ka një plan zhvillimi. Reagimi i Bashkisë së Tiranës nuk është normal, pasi toka në qendër është shtetërore dhe nuk ka leje ndërtimi nga pushteti lokal. Ne kemi vendosur që në qendër të Tiranës të ndërtohet një lulishte".
Dritan Agolli
"Bashkia në krahë të pronarëve legjitimë"
"Bashkia e Tiranës, baltës së politikës që ka kohë që hidhet mbi të, do t'i përgjigjet me prova dhe fakt. Prona, për të cilën bëhet fjalë është në pronësi private të Komunitetit Myslyman dhe bashkëpronarëve të familjes Kika, e vërtetuar me Çertifikatë Pronësie.
Kjo pronë ka një histori 14 vjeçare miratimi lejesh, histori ku gjejmë emrat e të gjithë kryetarëve të bashkive dhe kryeministrave të mëparshëm. Arsyet e këtij kalvari ku parakalojnë kryeministrat e këtij vendi, i takojnë t'i zbardhin organet e specializuara dhe jo Bashkia e Tiranës.
Bashkia e Tiranës deklaron publikisht, se do të gjendet gjithmonë në krahë të pronarëve legjitimë dhe biznesit të ligjshëm, do të gjendet gjithmonë përballë dhe nuk do të gjunjëzohet nga cilido që kërkon t'i bëjë presion e t'i hedhë baltë, apo që kërkon të cënojë të drejtat e saj, të cilat ia jep Kushtetuta dhe Ligji, qofshin këta policë të urdhëruar apo padronë të veshur me pushtet".