BSH: “Ulja e normës bazë funksionojë vetëm pjesërisht”
Banka e Shqipërisë pranon se lëvizja e saj lehtësuese për të ulur normën bazë të interesit funksionoi vetëm pjesërisht duke sjellë kredi më të lira për vetë bankat, por jo për konsumatorët. Banka e Shqipërisë ka mbajtur të ulur normën bazë të interesit dhe inflacionin dy mekanizma që ajo i ka në dorë por në kohë pasigurish financiare si kjo e tanishmja, interesi i kredive sipas bankës dhe rreziku i mos kthimit të kredive nuk varet vetëm nga ky institucion, por dhe faktorë të tjerë në treg. Qytetarët dhe bizneset do të mund të shpresojnë sërish për kredi më të lira vetëm atëherë kur shqetësimet dhe pasiguritë që mbart kriza financiare të jenë zbutur. Interesat e kredive kanë arritur majat në muajt e parë të këtij viti, ku për disa lloje kredish ato gati janë dyfishuar krahasuar me një vit më parë ndërkohë që zhvlerësimi i Lekut ndaj Euros ka rënduar edhe këstet mujore të kredive që duhet të paguajnë qytetarët.
Ngritja e Autoritetit Kombëtar i Ushqimit, financohen 2.5 milion euro nga CARDS
Programi CARDS i Bashkimit Evropian po financon 2.5 milionë euro, në mbështetje të projektit të ri për ngritjen e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Grigor Gjeçi, përfaqësues i këtij programi në Ministrinë e Bujqësisë, tha dje gjatë prezantimit të këtij projekti se "ky fond do të përdoret gjatë këtij viti për krijimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit si dhe për afrimin e legjislacionit sipas standardeve të BE-se dhe ngritjes të infrastrukturës dhe trajnim të kapaciteteve njerëzore në këtë fushë". Sipas tij, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, që po ngrihet për herë të parë në vendin tonë, është një institucion i ri, i besueshëm, sipas standardeve europiane për kontrollin dhe cilësinë e produkteve ushqimore. Siguria ushqimore, theksoi ai, është një ndër prioritetet kryesore të qeverisë, ndaj dhe po punohet intensivisht me të gjitha strukturat përkatëse, në mënyrë që puna e inspektorëve të ushqimit, të njohë një ngritje të re përmes këtij autoriteti. Kjo strukturë e re, parashikon ngritjen për herë të parë të grupit ndërdikasterial me përfaqësues e specialistë nga të gjitha ministritë e linjës, me qëllim ruajtjen dhe kontrollin e tregut për cilësinë dhe sigurinë ushqimore. Kjo strukturë do të funksionojë sipas legjislacionit ndërkombëtar dhe në përputhje me direktivat e MSA-së, për sigurinë ushqimore. Vënia në funksionim e AKU-së, parashikon rritjen e cilësisë dhe sigurisë ushqimore në vend për të gjitha llojet e produkteve. Deri më sot kontrolli ushqimor i tregut realizohet përmes disa inspektorateve që janë në vartësi të ministrive të ndryshme dhe funksionojnë relativisht të ndara nga njëra tjetra, ndërkohë që AKU synon të unifikojë këtë kontroll në shkallë kombëtare.
21 Maj 2009