E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemi i strehimit ende në udhëkryq, vetëm 950 kredi deri në vitin 2011

Skema do të bashkojë shtetin me ndërtuesit dhe sistemin bankar. Ministria e Punëve Publike do të subvencionojë kreditë në tre vite

Ervin KOÇI

Problemi i strehimit në vendin tonë do të mbetet sërish një problem i pazgjidhur me gjithë zotimet e shumta të qeverisë për ndërtimin e mbi 6 mijë banesave sociale në të gjithë vendin. Deri tani ky program ka mbetur vetëm në letra, në një kohë që lista e të pastrehëve dhe atyre në nevojë shtohet çdo ditë, në një kohë që në anën tjetër soset durimi i qytetarëve. Në disa raste qeveria nuk ka kursyer rastin për të bërë fushatë me këtë problem, por ngritja e apartamenteve sociale vetëm sa ka filluar dhe ndodhet në fazat e saj të para, në një kohë që parashikimet në tre vitet e ardhshme flasin për ndërtimin e një numri mjaftë të kufizuar. Ministria e Punëve Publike parashikon të plotësojë nevojat e vetëm 3.5 për qind të familjeve që aktualisht janë në pritje të zgjidhjes së problemit të tyre për strehimin. Këto shifra janë bërë publike edhe në programin buxhetor afatmesëm për tre vitet e ardhshme të MPPTT-së, ku nga viti në vit është premtuar rritje e numrit të këtyre ndërtimeve. Kështu për vitin 2010, kjo shifër arrin në 12 për qind të kërkesave nga të pastrehët, si dhe në përmirësim të kushteve të banimit për 6 për qind të familjeve rome. Po kështu, në 2011-n parashikohet që ky dikaster të sigurojë kushtet për strehimin e rreth 22 për qind të personave që kanë kërkuar strehim, si dhe përmirësim të kushteve të banimit për 10 për qind të familjeve rome. Programet që MPPTT-ja po zbaton për strehimin e kategorive që janë identifikuar nga bashkitë dhe komunat e vendit, do të mund të realizohen në bashkëpunim edhe me sektorin privat.

Marrëveshja

Ndërtimi i mbi 6 mijë apartamenteve sociale për shtresat në nevojë, është një projekt që gjatë tre viteve të ardhshme do të përfshijë shumë aktorë. Qeveria kërkon që të përfshijë në këtë proces ndërtuesit privatë si dhe sistemin bankar, ku nga ky i fundit synon të sigurojë financimet për kreditë që do t’u mundësojë të pastrehëve. Banesa me qira, me kredi ose pajisje me truall, janë disa nga projektet që po zbatohen aktualisht për zgjidhjen e problemit të strehimit. Gjatë këtyre viteve do të punohet për të siguruar instrumentet ligjore, financiare dhe institucionale për strehim të përballueshëm nëpërmjet realizimit të skemave të partneritetit shtet-sektor privat, ndërtues dhe bankar. Gjithashtu, synohet të zgjerohet zbatimi i programeve sociale të strehimit nga bashkitë, bazuar në zbatimin e projektit pilot të financuar nga kredia e CEB-it, si dhe përmirësimin e ligjit nëse shihet e nevojshme. Këtë vit do të përfundojë kuadri ligjor mbi bashkëpronësinë dhe do të sigurohet mbështetje financiare për realizimin e projekteve pilote për përmirësimin e stokut të banesave. Gjatë vitit 2009 parashikohet një sipërfaqe prej 23.219 metra katrorë, që do të jetë në dispozicion të ndërtimeve. Ndërkohë në vitin 2010 janë parashikuar 4875 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi e siguruar në bashkëfinancim me bashkitë, ndërsa në 2011-n janë 126 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi në bashkëfinancim me bashkitë.

Subvencionimi

Sa i përket pagesave të kredive për disa kategori të pastrehësh, Ministria e Punëve Publike, ka parashikuar 950 kredi të subvencionuara sipas ligjit 9232, me një kosto 106.1 milionë lekë. Për vitin 2010 janë 1058 kredi të subvencionuara dhe në vitin 2011 janë parashikuar 1160 kredi të subvencionuara. Në bazë të ligjit, shteti financon familjet, të cilat nuk kanë mundësi financiare për të kryer pagesën e qirasë, deri në 50 për qind ose 75 për qind të masës së qirasë që duhet të paguajë familja, kur verifikohet gjendja ekonomike e familjes. Subvencionimi i qirasë që përfiton çdo familje, bëhet nga të ardhurat e vetë bashkive dhe me miratimin e Këshillit Bashkiak. Po kështu shteti financon edhe interesat e kredive. “Familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët kanë të drejtën e marrjes së një kredie hipotekore, me kushte lehtësuese, nga një institucion financiar që ka lidhur kontratë me Ministrinë e Financave për menaxhimin e kredive”, - thekson ligji. Masa e subvencionit, që rezulton në fund të periudhës së maturimit të kredisë, nuk duhet të kalojë më shumë se 100 për qind të vlerës së banesës. Në rast se nga llogaritjet rezulton një subvencion më i madh për përballimin e kësteve të kredisë, familja përzgjidhet për tu trajtuar me banesë sociale me qira ose me truall të pajisur me infrastrukturë, ku familja mund të ndërtojë vetë banesën.

Objektivat e politikës

Viti 2009:
• Të sigurojë kushtet për strehimin nga OQV e 3.5% të familjeve në nevojë.
• Të sigurojë konservimin e zonës së ish-Kombinatit të Tekstileve Tiranë, deri në privatizimin e tij.
• Të hartojë aktet nënligjore në zbatim të ligjit për Planifikimin e Territorit.
• Hartimi i studimeve urbanistike në zbatim të ligjit “Për Urbanistikën”.

Viti 2010:
• Të sigurojë kushtet për strehimin e rreth 12% të kërkesave, përmirësim të kushteve të banimit për 6% të familjeve rome.
• Përmirësimi i kuadrit ligjor në fushën e planifikimit territorial.
• Të prodhojë hartat dhe GIS.
• Hartimi i studimeve urbanistike në zbatim të ligjit “Për Urbanistikën”.

Viti 2011:
• Të sigurojë kushtet për strehimin e rreth 22% të kërkesave, përmirësim të kushteve të banimit për 10% të familjeve rome.
• Të përmirësojë kuadrin ligjor në fushën e planifikimit territorial.
• Financim i studimeve urbanistike për njësi të ndryshme vendore në kuadër të planifikimit të territorit.
• Përfundimi i projektit për Zhvillimin e Bregut të Jugut.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›