E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testi i Toefl, ja detajet e zhvillimit të provimit në Shqipëri

Intervistë me Shefin e Grupit Amerikan të administrimit të Testit Toefl ITP

Përshëndetje! A mund të na jepni ndonjë konsideratë tuajën për ETS dhe testimet e saj në Shqipëri?
Më lejoni t'ju them se si punonjës të ETS (Education Testing Service), Kompanisë Lider në Botë në fushën e Testimeve, pavarësisht problemeve të vogla që mund të kemi hasur në këto vite, të cilat konsiderohen normale, jemi të kënaqur me ecurinë e deritanishme të testimeve. Rezultatet e studentëve sa vijnë dhe përmirësohen dukshëm. Rezultatet e këtij viti nuk mund të krahasohen me ato të një viti më parë. Kjo vjen dhe si pasojë e rritjes së ndërgjegjësimit të tyre në përgjithësi mbi domosdoshmërinë e mësimit të gjuhës angleze. Marrja e dëshmisë së gjuhës angleze sipas standardeve ndërkombëtare është vendosur si kushti për lëshimin e diplomave të ciklit të dytë të studimeve të masterit apo të doktoraturës në sektorin publik dhe atë privat. Njëkohësisht mbrojtja e anglishtes sipas këtyre standardeve do t'u shërbejë aplikantëve edhe për punësime apo pranime të llojeve të tjera në institucionet ndërkombëtare apo dhe agjencitë e huaja në Shqipëri dhe jashtë saj. Marrjes së kësaj dëshmie vitin e kaluar i janë nënshtruar mijëra studentë. Por ajo që bie më shumë në sy për studentët shqiptarë është se ata përzgjedhin më së shumti për të bërë mbrojtjen e anglishtes, testin e TOEFL- (paper basen, apo thënë ndryshe ITP).
Sa duhet të paguajë një studentë për Toefl ITP?
Kostoja financiare që studenti duhet të shlyejë për dhënien e testit të TOEFL-ITP është 66 euro. Arsyeja përse zgjidhet më shumë ky test është, pasi ai është testi më i akredituar sot në botë, si test tërësisht akademik, por edhe më i liri.
Pranë qendrës UT-ETS bëjnë testimin vetëm studentët e Universitetit të Tiranës, apo edhe të universiteteve të tjera?
ETS ka ardhur në Shqipëri si ekskluzivitet i Universitetit të Tiranës. Por procesit të testimit të gjuhës angleze pranë UT-ETS i nënshtrohen të gjithë studentët, si të universiteteve publike, edhe të atyre private.
Përse studentët shqiptarë për mbrojtjen e gjuhës angleze zgjedhin testin e TOEFL-it?
Më shumë se 90% e studentëve shqiptarë dhe në botë, preferojnë testin e TOEFL-it për të bërë mbrojtjen e gjuhës angleze. Besoj se, para së gjithash është emri i Toefl-it, ai që i shtyn të gjithë drejt tij. Emri i Toefl-it është "brand" në të gjithë botën. Toefl ITP zhvillohet në sesione të hapura në mbi 140 vende në mbarë botën. ETS korrigjon (skoron) 50,000 milionë teste në vit, gjë që e bën kompaninë, lider në Botë në fushën e testimit. Testi i Toefl-it "paper based" është testi më i hershëm për joanglisht folësit, ai është krijuar që prej vitit 1947.
Sa është kohëzgjatja e testit dhe cili është formati i tij?
Kohëzgjatja e testit është 2 orë. Është në formatin "Paper & Pencil", ashtu siç është formati i testeve ndërkombëtare. Ai ka në total 140 pyetje, ku 50 janë me dëgjim (Listening), 40 janë gramatikë (Grammar), ndërsa 50 pyetje janë me lexim (Reading). Testi përfshin nivelet nga A2 (niveli fillestar) deri në C1 (Nivel i lartë). Shkalla e vështirësisë së hartimit të testit të TOEFL-it është nga mesatari deri tek i avancuari.
Po testet e tjera, a janë të gjitha po aq të njohura dhe të akredituara si Toefli-i?
Për këtë unë nuk mund të flas, pasi përfaqësoj vetëm testet e ETS, - kompaninë më të madhe të testimit në botë. Mendoj se në procesin përzgjedhës të testeve ka pasur pa dyshim një bord personash të kualifikuar në fushën e Gjuhës Angleze, të cilët kanë bërë dhe procesin e përzgjedhjes së testeve. Si bazë gjithmonë shërben Kuadri i Përbashkët Europian për Gjuhët, ose siç e quajmë ndryshe CEFRL dhe Udhëzimi i MASH, që vjen si rezultat i zbatimit të Kuadrit Ligjor Shqiptar në fushën e arsimit.
Sa kohë zgjat, nga procesi i testimit deri në dhënien e rezultateve?
Normalisht duhen 10 ditë nga dhënia e Testit Toefl ITP. Pasi ato nisen me postë në selinë qendrore, ku bëhet korrigjimi i tyre në mënyrë elektronike dhe përgjigjet vijnë përsëri me postë të shpejtë, pranë Universiteteve. Nëse një student përgjigjen e testimit e do të përshpejtuar, ai paguan një tarifë shtesë dhe rezultati i vjen për 4 ditë pune.
Këtij testimi, i nënshtrohen vetëm studentë që e kanë detyrim për të marrë diplomën e masterit, apo edhe studentë që dëshirojnë të studiojnë në universitete të huaja?
Kjo është një pyetje shumë e drejtë. Testimit të gjuhës angleze nuk i nënshtrohen vetëm studentët, të cilët e kanë si një testim të detyrueshëm dalës nga universitetet shqiptare, por edhe studentë që dëshirojnë të studiojnë në universitete të vendeve të ndryshme të Europës, ku kriter hyrës është gjuha angleze. Vetëm në muajt janar - mars të këtij viti janë testuar rreth 500 studentë që do aplikonin për të hyrë në universitete ndërkombëtare, në mbarë botën.
Ku e bëjnë regjistrimin studentët që duan të mbrojnë anglishten?
Çdokush që dëshiron t'i nënshtrohet testimit, regjistrimin e bën online në faqen zyrtare web: www.ut-ets.edu.al. Kjo gjë është bërë për të shmangur çdo lloj abuzimi. Studentët hyjnë në këtë faqe dhe bëjnë regjistrimin duke përcaktuar datën dhe vendin kur duan të japin provimin, sipas ekzigjencave të tyre.
Kush e administron provimin? Me sa po shoh ju jeni të gjithë amerikanë.
Në momentin e fillimit të testimit nuk lejohet të rrijë brenda asnjë person veç atyre që janë staf i mirëtrajnuar nga ETS dhe që merren me të gjitha procedurat e administrimit e më pas të paketimit dhe postimit të testeve për korrigjim. Stafi shqiptar qëndron në sallë deri në momentin që bëhet sqarimi për plotësimin e gjeneraliteteve (emër, mbiemër etj). Përgjegjës për procesin e administrimit të testimit është stafi amerikan.
Kjo bëhet pasi keni pasur probleme me stafin shqiptar të kompanisë?
Nuk dua të ketë asnjë keqkuptim; stafi shqiptar që ne kemi është mjaft kompetent, por është thjesht çështje e standardit të kompanisë për procesin e administrimit. Ata kanë rol tjetër në kompani.
Shoh që studentët, edhe pse po japin testin, nuk janë të tensionuar?
Unë nuk do të mendoja kështu, pasi në momentin e parë kur shohin që testi administrohet nga staf amerikan, ata duket që kanë "emocion". Kjo, edhe për faktin që mënyra e administrimit të këtij lloj testi është e ndryshme nga testimet që ata mund të kenë bërë më parë, që do të thotë, që ata po mësohen me mentalitetin që, brenda sesionit të testimit rregullat janë strikte për të gjithë. Nëse mendoni se janë të patensionuar, ky është rezultat i përgatitjes së tyre paraprake dhe llojit të testit, i cili është mjaft i kuptueshëm, falë formatit të tij. Të gjithë atyre që kanë aplikuar për të hyrë në testim u krijohet mundësia që të shohin nivelin e tyre, paraprakisht, falë testimeve falas, të cilat u ofrohen on-line, gjë që mbase i bën ata më të sigurt në njohuritë e tyre.
Çfarë mund të na thoni në lidhje me elementët e sigurisë së certifikatës; a ka mundësi që ajo të tjetërsohet?
Arsyeja kryesore që e bën Certifikatën e Toefl-it të patjetërsueshme janë dhe 6 elementët e lartë të sigurisë të shpërndarë në të. Certifikata është me hologram, ndryshon ngjyrë nën trysninë e agjentëve atmosferikë, kode specifike që gjenerohen gjatë korrigjimit (Scoring) etj.
Arsyeja tjetër e cila e bën të pamundur tjetërsimin e certifikatës është dhe fakti që për çdo person të testuar, ETS lëshon tri dokumente bazë, që janë: 1. Certifikata që është pronë intelektuale e personit të testuar; 2. Dy kopje Score Report (apo raport pikësh), ku njëra i jepet studentit për ta çuar në universitet dhe tjetra mbahet nga Institucioni që administron testin; dhe 3. Roster Sheet (tabelë) me emrat, datëlindjet, numrat e kartave të identitetit, pikët e marra të të gjithë personave të testuar atë datë. Kjo kopje u shkon rektorateve të universiteteve, si institucione përgjegjëse për lëshimin e Diplomës.
Ku mund të përdoret, përveçse në Shqipëri, rezultati i Toefl ITP?
Është një pyetje shumë e goditur dhe me mjaft interes për të gjithë gjeneratën e studentëve, duke përfshirë këtu edhe ata të shkollave të mesme që janë në prag të Maturës. Familja e Toefl ka një gamë të gjerë testesh, duke përmendur këtu: Toefl Junior, i cili shërben si test hyrës në të gjitha kolegjet ndërkombëtare, Toefl iBT dhe Toefl ITP. Për më tepër mund të gjeni një informacion të gjerë të përdorimit të tij në: http://www. seeu. edu. mk/files/toefl/TOEFL_ ITP_ SUN_ list.pdf
Po ashtu, në të gjitha universitetet amerikane në Europë dhe gjetkë, është kriter hyrës niveli B1 i Toefl ITP dhe nëpërmjet tij arrihet edhe marrja e bursave. Fondacione të ndryshme, që operojnë edhe në Shqipëri, (P.sh. SOROS etj), e kanë kriter Testin Toefl ITP. Testi Toefl ITP është një test mëse i akredituar nga Kuadri Europian Referuar Gjuhëve dhe si i tillë është përzgjedhur edhe nga MASH.
Kush ka autoritetin për vlerësimin e Certifikatave të Toefl ITP?
Autoriteti i vetëm që bën interpretimin e Score-it, për certifikatat e Toefl ITP, është ETS, pasi ai është subjekti që Property Right për certifikimin e rezultatit. Interpretimet që mund të bëhen nga subjekte të ndryshme, janë të pavlefshme dhe të pakonsiderueshme. Të gjithë ata që duan një informacion më të plotë për interpretimin e Score-it, duhet t'i drejtohen vetëm ETS. Gjithashtu Certifikata ka në anën e pasme edhe interpretimin e nivelit të pikëve, referuar CEFRL: (https://www.ets.org/toefl_itp/research/) 

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›