Testi i matematikës, “ngujohen” ekspertët për hartimin e tezave

Ditën e sotme bëhet "ngujimi" i dytë i Maturës për hartimin e tezave të provimit të matematikës , për të cilin do të përgatiten 7 teste të ndryshme, sipas profilit të gjimnazeve.
Specialistët do të "izolohen" në ambientet e Agjensisë Kombëtare të Provimeve nga dita e sotme për të dalë prej aty të mërkurën e javës së ardhshme, në 15 qershor, atëherë edhe kur do të mbahet edhe provimi i matematikës. Testi do të ketë 25 pyetje, nga të cilat 13 me alternativa që përmbajnë 13 pikë dhe 12 të tjera janë me zhvillim, që vlerësohen me 37 pikë.
Ndërkohë të gjithë maturantët që dhanë provimin e tyre të parë të Letërsisë do të kenë mundësi që rezultatet e tyre t`i marrin vetëm pas 15 qershorit. Agjensia kombëtare e provimeve bënë të ditur se deri tani janë korrigjuar vetëm 25 përqind e testeve ndërkohë që po ecet normalisht me procesin e vlerësimit.