Zgjerohen fushat e mbështetjes
Qeveria ka vendosur të zgjerojë fushat që mbulon Fondi i Ekselencës, me anë të të cilit financohet arsimi i lartë dhe pasuniversitar i studentëve më të mirë shqiptarë. Kryeministri Berisha tha se për herë të parë, që prej tre vjetesh, kur u krijua Fondi i Ekselencës, tani do të mbulohen me bursë edhe studimet në art dhe muzikë, përveç shkencave natyrore dhe atyre shoqërore. Por, përveç mbështetjes me bursa të atyre që shkëlqejnë në studime, kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e mbështetjes së ekspertëve më të mirë shqiptarë, për t’u kthyer dhe për të punuar në vend.
“Është e domosdoshme që kuadri ynë ligjor të parashikojë detyrimin e sektorit publik për punësimin imediat të tyre, për bonuset respektive ndaj tyre. Është e domosdoshme që të ftohen ekspertë shqiptarë të shquar të të gjitha fushave të rikthehen për të punuar në Shqipëri edhe duke krijuar kushte analoge, kur është e mundshme, me ato në të cilat punojnë dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Ne do të bëjmë çdo gjë që të mbështesim çdo ekselencë shqiptare, në mënyrë që vendi të ketë softin e merituar. Ne do të bëjmë gjithçka që të lehtësojmë kthimin dhe sistemimin në vend të ekspertëve dhe specialistëve më të mirë shqiptarë kudo që ndodhen”, - tha Kryeministri në mbledhjen e qeverisë. Sipas tij, aktualisht 20% e atyre që punojnë në administratë dhe në shërbimin civil janë shkolluar në universitetet më të mira perëndimore dhe qeveria do të vazhdojë të mbështesë pa kufizim studimin e më të mirëve në universitetet më prestigjioze të botës.