E Diel, 1 Nëntor 2026

Testimi i maturantëve me 3 nivele vështirësie

Autori i Lajmit: E.D

Maturantët, para provimeve përfundimtare të Maturës, do ti nënshtrohen një paratestimi të detyrueshëm. Ky do të jetë si një provim i përafërt me ato të Maturës. Për këtë, specialistë të AVA-s, kanë nisur hartimin e testeve të paratestimit, nëpërmjet të cilëve do të bëhet testimi i maturantëve. Ky lloj testi, do të jetë një mënyrë efikase pilotimi për mësuesit dhe nxënësit, të cilët do të kenë mundësi që të testojnë veten, lidhur me vështirësinë e provimit. Sipas specialistëve, nëse ky paratestim zhvillohet saktë nga ana shkencore, do të ndikojë shumë pozitivisht për nxënësit dhe arritjet e tyre. Mbi bazën e rezultateve të nxjerra nga provimet paratestuese, specialistët e AVA-s do të përcaktojnë edhe formën përfundimtare të testeve të Maturës. Gjatë punës për përgatitjen e nxënësve për provimet e Maturës Shtetërore është e rëndësishme që herë pas here mësuesi të zhvillojë testime të nxënësve të tij me teste që mund ti hartojë vetë. Në hartimin e testeve duhet mbajtur parasysh pesha për çdo linjë të përmbajtjes si dhe përfshirja e kërkesave të tri niveleve të vështirësisë në raportet 2:2:1 (duke filluar prej nivelit më të ulët të përcaktuar). Kërkesat duhet të jenë dy llojesh: me zgjedhje të shumëfishtë e me shtjellim të argumentuar. Duke ndjekur me vëmendje mundësitë reale të nxënësve, ai duhet të përqëndrohet në ushtrime të lehta, por të larmishme, që favorizojnë përvetësimin jomekanik të koncepteve dhe zotërimin e shkathtësive e shprehive të domosdoshme, kjo pasi provimet janë të ndërthurura me alternativa dhe zhvillim. Krahas provimeve paraprake maturantët përpara se të zhvillojnë provimet përfundimtare do të kenë mundësinë e konsultimeve intensive (të cilat kanë nisur qysh tani gjatë fundjavave). Sipas rregullit të përcaktuar për dy provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, është përcaktuar që zhvillimi i konsultimeve të bëhet menjëherë sapo të mbarojë viti shkollor.

Ky lajm është publikuar: 09/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›