E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore Nuamah-Qeveris, “kujdes me marrjen e kredive”

Autori i Lajmit: Redaksia

Banka Botërore i bën thirrje qeverisë që të tregojë kujdes me kreditë që do të marrë. Pasi duke qenë me kushte tregtare, kostot që rëndojnë mbi tatimpaguesit janë të mëdha. Sipas përfaqësueses së Bankës Botërore në Tiranë, Camille Nuamah qeveria duhet të tregohet e kujdesshme në strategjinë e re të partneritetit me këtë institucion ndërkombëtar përsa i përket përzgjedhjes së projekteve apo vonesave në zbatimin e tyre. Kjo pasi rrezikohet thellimi i borxhit publik, tregues që ka arritur aktualisht në 59.5 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Strategjia e ardhshme e partneritetit mes Shqipërisë dhe Bankës Botërore përfshin periudhën qershor 2010-qershor 2014. Ky dokument do të diskutohet me qeverinë shqiptare dhe në fillim të verës do ti paraqitet për miratim bordit të drejtorëve ekzekutivë të Bankës Botërore. Që prej vitit 1991, Banka Botërore ka dhënë për vendin tonë mbi 1 miliardë dollarë kredi pa interesa. Gjatë konferencës për shtyp, përfaqësuesja e Bankës Botërore në Tiranë ka deklaruar se janë konstatuar vonesa në projektin për menaxhimin e tokës dhe për shkak të mospërdorimit të 1.6 milionë dollarëve në komponentin e tretë të projektit u bë rialokimi i tyre për përballimin e situatës së përmbytjeve. Nuamah ka bërë të ditur se për bashkitë e Beratit, Elbasanit, Shkodrës dhe Kamzës fondet e së cilave u tenderuan, qeveria ka marrë përsipër që të gjejë burime shtesë nga buxheti. Megjithëse lidhur me këtë çështje, do të diskutohet edhe nga një ekip nga Uashingtoni i Bankës Botërore që mbërrin në Tiranë këtë fundjavë.
Ky lajm është publikuar: 09/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›