Tetë lloje të lejes së punës për të huajt në Kosovë

Nën udhëheqjen e zëvendëskryeministres dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, sot u mbajt takimi i njëmbëdhjetë me radhë i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik(KKZHE), ku u diskutuan çështjet: lejet e punës për të huajt dhe lejet për vendqëndrimet dhe reformat e ndryshimet që duhet të ndërmerren në këtë drejtim, diskutim rreth projektligjit kornizë për inspektimet në nivel vendi, si dhe koordinimi i institucioneve qeveritare dhe përfaqësimi në Fondacionin Evropian të Trajnimeve (FET).Sipas një komunikate nga ky asociacion, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, fillimisht bëri të ditur edhe njëherë se javën që lamë pas, Qeveria e Republikës së Kosovës, është informua nga Bashkimi Evropian për vendimin e tyre për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stablilizim Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës. Ai theksoi se kjo marrëveshje është themeli mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja evropiane e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Thaçi, në mes tjerash, tha se do të vazhdojmë me punën në përmirësimin e mjedisit afarist duke ulur jo vetëm koston financiare të të bërit biznes, por edhe kostot jo-financiare.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila, prezantoi konceptin e saj rreth lëshimit të lejeve të punës dhe të qëndrimit për shtetasit e huaj në Republikën e Kosovës, që sipas Ligjit për leje të punës, leja e punës është dokument zyrtar i lëshuar nga organi kompetent për një shtetas të huaj, për qëllime biznesi, punësimi ose vetëpunësimi.
“Janë tetë lloje të lejes së punës që mund të jepen në bazë të këtij ligji, duke filluar nga Tipi A që u jepet të huajve për një periudhë kohore 6 mujore deri tek Tipi H, që jepet për një periudhë 5 vjeçare. Janë disa kategoritë të shtetasve të huaj që përjashtohen nga detyrimet për pajisje me leje të punës si: përfaqësuesit e përfaqësive diplomatike të organizatave ndërkombëtare me status diplomatik, si dhe shtetasit e huaj që janë punonjës të këtyre përfaqësive; personeli kyç i ndërmarrjeve tregtare i cili është definuar me marrëveshjen për stabilizim-asociimin në mes shteteve anëtare të BE-së dhe Kosovës; përfaqësuesit e organizatave joqeveritare pa qëllime fitimi dhe disa grupe tjera”, ka theksuar Kusari-Lila./Indeksonline/