PDK dhe AAK mirëpresin vendimin për datën e zgjedhjeve lokale

- Partia Demokratike e Kosovës përshëndet vendimin e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për shpalljen datës 3 nëntor ditë të zgjedhjeve lokale në tërë territorin e Kosovës.Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013 kanë rëndësi të veçantë, sepse mbahen në Kosovën e lirë, demokratike, për herë të parë pas heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë, thuhet në kumtesën e PDK-së.
Organizimi i zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është edhe një fitore për demokracinë tonë, për shtetin e Kosovës, për të gjitha subjektet politike, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe dallimet programore.
PDK uron që të gjitha subjektet politike ta shfrytëzojnë përcaktimin e datës për përgatitje, me qëllim që zgjedhjet lokale të prodhojnë fushatë korrekte, shpalosje të programeve dhe mbarëvajtje të procesit zgjedhor.
Më tej PDK shpreh besimin e plotë që zgjedhjet e 3 nëntorit 2013 do ta dëshmojnë përgjegjësinë e subjekteve politike, thellimin e kulturës demokratike dhe imazhin e Kosovës si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka mirëpritur dhe e përshëndet vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, për shpalljen e datës për zgjedhjet lokale në vend, më 3 nëntor 2013.
AAK konsideron se ky vendim është konform kohës së duhur në bazë të legjislacionit në fuqi për mbajtjen e zgjedhjeve për pushtetin lokal në Kosovë, dhe fton spektrin politik, institucionet dhe mekanizmat kompetentë për organizimin e këtyre zgjedhjeve, që të jenë vigjilentë dhe t’i kryejnë me kohë përgjegjësitë e tyre për një proces demokratik dhe të lirë zgjedhor në mbarë vendin./Indeksonline/