E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apel i nënës së Osman Berberit: Gjeni vrasësit e tim biri!

 

TIRANE - Kur kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga vrasja makabre e Osman Berberit, të riut që më 28 shkurt 2009, nëntë ditë pas zhdukjes, u gjet i masakruar tek Ura e Zogut mbi lumin Mat, nënës së tij, Diamanta Hima (Berberi), nuk i janë tharë lotët. E mbledhur bashkë me nusen dhe vajzën 4 vjeçe të të birit, në një dhomë të një prej godinave të Institutit Bujqësor të Tiranës, gruaja thotë se është lodhur duke rendur sa në një komisariat policie në tjetrin, sa në një zyrë prokurori në të radhës, pa marrë asnjë përgjigje për të vërtetën e vrasjes së djalit. "Nuk e kisha djalin kriminel. E kisha rritur me halle. Punonte në Greqi për të ndihmuar familjen dhe nuk merrej me asgjë të paligjshme. Ma morën në mes të ditës dhe ma vranë. Ndërsa policia dhe prokurorët nuk janë të gjendje të më shpjegojnë se përse e rrëmbyen dhe vranë tim bir. Të paktën të më thoshin këtë, që të di si të veproj. Të di kë të fus dhe kë të mos fus në shtëpi. Të di nga kush të ruhem. Të vendos nëse duhet të rri më tej në këtë shtëpi apo duhet të largohem...", përpiqet Diamanta të shpjegojë gjendjen e saj shpirtërore, pasi për muaj me radhë ka trokitur pa marrë asnjë shpjegim në dyert e drejtuesve të policisë e prokurorive nga Tirana në Lezhë. Osman Berberi, djali 27-vjeçar i Diamantës, u rrëmbye mëngjesin e 19 shkurtit 2009 në Institutin Bujqësor dhe trupi i tij u gjet i masakruar në afërsi të urës së Zogut në lumin Mat, pas 9 ditësh, më 28 shkurt. Një telefonatë e realizuar rreth orës 09:00 në celularin e tij, e kishte nxjerrë jashtë shtëpisë 27-vjeçarin, për të mos e kthyer më kurrë të gjallë. Osman Berberi jetonte me gruan, vajzën 4 vjeçe dhe nënën Diamanta në një dhomë të vogël me kushte skandaloze, në njërën nga godinat e studentëve të Institutit Bujqësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›