E Diel, 1 Nëntor 2026

Tetova përkujton sot diplomatin Holbrooke

Tetova përkujton sot diplomatin amerikan Richard Holbrooke i cili ndërroi jete disa ditë më parë pas problemeve në zemër.

Evenimenti në nder të diplomatit Holbrooke do të organizohet nga Akademia Diplomatike Shqiptare (ADSH) dhe Këndi Amerikan në Tetovë.
 

Organizatorët kanë parashikuar që të gjithë pjesëmarrësit dhe qytetarët të nënshkruhen në librin e zisë për të nderuar figurën e rëndësishme të diplomacisë Richard Holbrooke, i cili ndërroi jetë më 13 dhjetor në Uashington.
 

“Ju ftojmë për solidarizim me popullin mik amerikan në këtë ditë dhimbjeje, për humbjen e një diplomati të veçantë që synonte paqen dhe drejtësinë në botë”, theksohet në njoftimin e organizatorëve.
 

Riçard Hollbruk, diplomati veteran i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili shërbente si i dërguar i posaçëm amerikan në Afganistan dhe Pakistan, është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare.
 

Ndër arritjet kryesore të Hollbrok, përmendet ndihmesa e tij për arritjen e Marrëveshjeve për Paqe në Dajton të shtetit Ohio që i dha fund luftës në Bosnje. Në fund të viteve të 90-të, ai u kthye në Ballkan, në kohën kur në Kosovë shpërtheu lufta ndërmjet forcave serbe dhe shqiptarëve.

Në mars të vitit 1999 ai shkoi në Beograd për t`i dhënë ultimatumin final, ish presidentit të Serbisë, Sllobadan Millosheviç, se NATO-ja do të bombardonte nëse agresioni ndaj Kosovës nuk ndalej edhe pse Millosheviçi nuk i dëgjoi këto paralajmërime.
 

Gjatë një dëshmie të një komisioni të kongresit vitin e kaluar, i dërguari i posaçëm në Afganistan dhe Pakistan mbrojti politikën e Presidentit Obama në rajon.
 

Nën presidencën e ish Presidentit Bill Klinton, Hollbruk ishte përfaqësues i SHBA në Kombet e Bashkuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›