E Diel, 1 Nëntor 2026

Tetovë, konferenca “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE-sfidat”

Është mbajtur dje në Tetovë Konferenca “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian-sfidat” e cila mblodhi sëbashku studjues të ndryshëm nga vendet e rajonit. Shqiptarët tani e kanë të qartë konceptin dhe kuptimin e një Europe të bashkuar theksoi me këtë rast mikpritësja e kësaj konference, kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi.

“Konsideroj se pas viteve 90-të u bë sfida kryesore e popujve të ndarë të ish bllokut socialist dhe në këtë drejtim jo rastësisht shqiptarët ashtu si edhe shumë tjerë kombe të ndarë në konceptin dhe kuptimin e një Evrope të bashkuar, e panë mundësinë për të ndërtuar një koncept i cili i përafron dhe u jep mundësin që të funksionojn së bashku mirpo pa logjikën e një nacionalizmi të degraduar të shekullit të nëntëmbëdhjetë” – tha Arifi.

Eurooptimizmi vazhdon të bëhet një realitet në rajon theksoi zvkryeministri I Maqedonisë për integrim europian, Fatmir Besimi, çka sipas tij dëshmohet me anëtaresimin e Kroacise në BE në 1 korrik, nisjen e bisedimeve për MSA-në me Kosovën, dhe nisjen e negociatave për anëtaresim me Serbinë. Në këtë frymë ishin edhe fjalimet e Ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoni Arben Çejku dhe kryetarit të asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismaili.

“Lidhur me qasjen rajonale të Shqipërisë siç e keni vënë re edhe gatë fushatës së fundit të partive politike, partitë dhe lidershipet e tyre kanë shprehur një qëndrim të njejtë për sa i përket nevojës së forcimit të marëdhënieve me vendet fqinje dhe mbështetjen e konceptit integrues të Ballkanit Perendimor” – tha Ambasadori i Shqipërisë në vendin tonë, Arben Çejku.

“E përbashkëta e themeluesve të Bashkimit Evropian dhe shqiptarëve është se ideja për bashkim ka buruar nga ndarja dhe ne si shqiptarë ashtu si gjermania që ishte e ndarë në dy shtete, shqiptarët ishin dhe vazhdojnë të jenë të ndarë në pesë shtete, por të lidhur në mënyrë kompakte mes veti dhe ideja e themelimit të BE-së, është ajo që na përket neve, na konvenon dhe në këtë aspekt mendoj se shqiptarët e kanë kuptu më së miri integrimin në Bashkimin Evropian” – tha kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli. Edhe profesori universitar Blerim Reka paraqiti një pasqyrë për vendet e ballkanit perëndimor në proceset integruese.Konferenca që organizohet nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike, këtë vit ka marrë mbështëtje edhe nga tre universitetet ai i Tetovës, i Tiranës dhe i Prishtinës dhe ka për synim te mbledhe sëbashku ekspertizën akademike në rajon mbi procesin e integrimit europian.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›