E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta: “Kunder Slaven Belupos, luajmë për dinijtet”

Me një humbje me katër gola diferencë (2-6) me Slaven Belupon në Kroaci dhe me katër përjashtime pas takimit të parë nga presidenti Hasanbelliu (Mancaku, Kapaj, Kotja, Buna), me probleme dëmtimesh në vijën mbrojtëse (Pashaj, Fagu), nënkampionies së Shqipërisë, Teutës, i nevojitet një mrekulli për të kaluar në turin e dytë të Kupës UEFA. "Peshorja" e gjendjes psikologjike para sfidës nuk anon nga "pjata" optimiste. Për këtë janë të bindur të gjithë. "Ne jemi të vetëdijshëm që kualifikimi për në turin e dytë është shumë i vështirë për t'u arritur, pas asaj humbje, 6-2, në takimin e parë. Por, nëse do ta nisim ndeshjen mbarë dhe shënojmë të parët, nuk kemi pse të mos besojmë për atë që duket aq e vështirë për t'u arritur, kualifikimin", - është shprehur trajneri Hysen Dedja. Takimi Teuta-Slaven Belupo do të luhet në "Niko Dovana", në orën 16:00. Daniel Xhafaj, autori i golit të parë në Belupo, ashtu si mbrojtësi Endri Vrapi, do të luajë ndeshjen e fundit me "Djemtë e detit", pasi të dy lojtarët nëshkruan për Tiranën për sezonin e ri. "Do të doja ta mbyllja me Teutën edhe me një gol tjetër", - thotë golashënuesi më i mirë i ekipit durrsak gjatë sezonit të kaluar. Teuta, që merr pjesë për herë të pestë në Kupën UEFA nuk e ka kaluar asnjëherë turin e parë. Slaven Belupo, kundërshtari kroat, që para dy sezonesh eliminoi në Kupën Intertoto Vllazninë e Shkodrës, nuk do ta ketë të lehtë të bëjë "viktimë" një tjetër skuadër shqiptare. Numrat flasin për të. Edhe bastet favorizojnë fitoren e mundshme të kroatëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›