E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta i “pret kokën” Mirel Josës

Dash Frashëri

Javë “skupesh” kjo e 23-ta e Kategorisë Superiore. Me dorëheqje presidentësh (Zhilli e Baholli nga Kastrioti) e shkarkim trajneri (Josa nga Vllaznia), por edhe me incidente në “Ruzhdi Bizhuta”, ku takimin Elbasani-Shkumbini (1-0, gol i Nuhit), ku në fund të 90 minutave ndodhi edhe një ngjarje e papëlqyeshme kur deputeti i Peqinit, Dashnor Sula, (sipas Radio Sport) u konfliktua me një lojtar të Elbasanit duke e goditur atë.
Josa
Vllaznia nuk do të drejtohet më nga trajneri Mirel Josa. Ish-trajneri i Tiranës dha dorëheqjen nga detyra pas takimit me presidentin e skuadrës shkodrane, Valter Fushaj, i cili pranoi edhe vendimin e Josës. Lajmi konfirmohet nga “Ora Sport”. Në fakt, paralajmërimi për një shkarkim të mundshëm të Josës u fol në mediat sportive dhe humbja me Teutën e vulosi përfundimisht atë. Në mes të sezonit Josa u shkarkua edhe njëherë tjetër nga presidenti Fushaj, por tifozeria shkodrane, me peticionin e saj e riktheu në punë. Vetëm katër trajnerë kanë mundur të mbijetojnë në kampionatin e ashpër shqiptar gjatë këtij sezoni: Lika (Partizani), Alimehmeti (Elbasani), Memushi (Flamurtari) dhe Magani (Shkumbini).
Ndeshja
Teuta, që e luajti pjesën e dytë me dhjetë lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të mbrojtësi Pashaj (faull ndaj Kapajt), ia doli të fitojë 1-2 me Vllazninë vendase me një gol në minutën e 93-të, të realizuar nga pika e bardhë me anë të Hodos.
Ish-mesfushori i Dinamos, Ilirjan Çaushaj, shënoi golin e parë për Teutën në minutën e 52-të, por sulmuesi më i mirë i Kombëtares U-21, Xhevair Sukaj, vendosi ekuilibrat në fushë në minutën e 58-të. Goli i realizuar me penallti nga formacioni i Kristaq Miles u dhuroi tri pikë të mëdha “djemve të detit” dhe vendin e nëntë në renditje. Kjo ishte dhe fitorja e parë sezonale e Teutës pas dy humbjeve rresht me Vllazninë (3-0, fazën e parë dhe 2-0, fazën e dytë). Për të veçuar është fakti se Vioresin Sinani, golashënuesi më i mirë i kampionatit (14 gola), nuk shënon prej tri javësh. Formacioni shkodran ndodhet tashmë në vendin e gjashtë, pas Besës (fitoi 1-0 me Kastriotin), Tiranës (fitoi 1-0 me Flamurtarin) dhe Elbasanit (fitoi 1-0 me Shkumbinin). Ky ishte edhe takimi i 140-të midis dy ekipeve, që prodhoi edhe fitoren e 31-të të durrsakëve: 67 fitore Vllaznia (35 barazime, golat 68-39 për shkodranët).

Kategoria Superiore
Java 23

E shtunë, 8 mars 2008
Partizani-Besëlidhja 1-0
Shënues: Muzaka 2’
Vllaznia-Teuta 1-2
Shënues: Sukaj 58’/ Çaushaj 52, Hodo 93’ (p)
Besa-Kastrioti 1-0
Shënues: Ishaka 5’
Tirana-Flamurtari 1-0
Shënues: Fortuzi 18’
Elbasani-Shkumbini 1-0
Shënues: Arben Nuhiu 19’
E diel, 9 mars 2008
Dinamo-Skënderbeu (15:00)
Gjyqtar: L. Jemini.

Kastrioti humbet ndeshjen, por dhe dy presidentët

Kastrioti jo vetëm që humbi në Kavajë me Besën 1-0, por përpara sfidës me formacionin e Starovës, klubi krutan humbi dhe presidentin e tij, Shkëlzen Zhilli. Ish-bosi i Kastriotit dha dorëheqjen e parevokueshme, e dyta e tij në dy vjet që drejton ish-skuadrën e Vasil Bicit. Bashkë me Zhillin dha dorëheqjen edhe zëvendëspresidenti i klubit, Kujtim Baholli. Interesant është një fakt, se nëse 45-vjeçari Zhilli kampionatin e kaluar duroi për ta dhënë dorëheqjen dy javë përpara përfundimit të sezonit 2006-2007, saktësisht më 11 maj 2007, atëherë Kastrioti ndodhej në vendin e 9-të, tani ish-presidenti e dha 11 javë përpara përfundimit të Kampionatit të 69-të Kombëtar të Futbollit, kur sërish Kastrioti ndodhej në vendin e nëntë (tani në të dhjetin, pas fitores së Teutës me Vllazninë).
Zhilli, pas disa hezitimesh për të qenë në krye të Kastriotit, u rikthye në postin e sponsorizuesit më 21 qershor 2007. Largimi i financuesit kryesor të ekipit pa dyshim që do të sjellë një krizë totale për një grup lojtarësh që nuk kanë marrë disa paga mujore. Gjatë këtij sezoni në presidencën e Shkëlzen Zhillit, Kastriotin e drejtuan Ramazan Ndreu, Vasil Bici dhe sërish Ramazan Ndreu.
Kastrioti mund të jetë skuadra që do të shoqërojë Skënderbeun në rrugën drejt Kategorisë së Parë.

Sforcim minimal, fitore minimale

Një sforcim minimal për një fitore minimale, madje të arritur qysh në limitin e fundit të minutës së parë, kur golashënuesi më i mirë i Partizanit, Gjergji Muzaka, realizoi me një goditje cinike duke i siguruar një trepikësh thelbësor të kuqve kundër Besëlidhjes (1-0) në “Qemal Stafa”. Partizani u barazua përkohësisht me pikë me Dinamon (nga 45 pikë), që nga ana e saj do të luajë në kryeqytet me Skënderbeun e vendit të fundit.
Kjo ishte fitorja e tretë sezonale e Partizanit ndaj formacionit lezhjan dhe tekniku Lika mund të mburret se ka mposhtur tre teknikë të ndryshëm: Nicën (në fazën e parë, 2-1), Kullin (në fazën e dytë, 4-0) dhe Gjylën (në fazën e tretë, 1-0) edhe pse presidenti Xhani do të donte të mundte Neptun Bajkon, i shkarkuar nga drejtuesit e Besëlidhjes pas fitores me Skënderbeun(!).

“Mjeku” Fortuzi “shëron” Memën

Edhe pse me një formacion pa shumë titullarë, Tirana, falë golit të realizuar nga 34-vjeçari Indrit Fortuzi në minutën e 18-të, arriti një fitore ngushëlluese me Flamurtarin, duke marrë tri pikë të çmuara. Edhe takimi i fundit në kryeqytet midis këtyre dy ekipeve u fitua nga Tirana (2-0), ndërkohë që në fazën e parë të zhvilluar në Vlorë kishte fituar Flamurtari (1-0). Kjo ishte dhe fitorja e 65-të për bardheblutë, 29 fitore për kuqezinjtë vlonjatë dhe 22 barazime.

SuperLushnja, SuperBylis

KATEGORIA E PARË - Tre kryesueset e Kategorisë së Parë, Bylis, Apolonia e Lushnja, bënë detyrat e shtëpisë teksa fituan edhe me rezultate befasuese me kundërshtarët e tyre në javën e 22-të të Kategorisë së Parë.
Bylis-Tepelena 6-0
Bylis i Faruk Sejdinit arriti një fitore tenistike 6-0 me Tepelenën, që koleksionon humbje të thella njëra pas tjetrës (në ndeshjen e prapambetur humbi 5-0 me Bilishtin). Bylis kryeson sërish i vetëm me 48 pikë, një më shumë së Apolonia dhe Lushnja (të dyja nga 47 pikë).
APOLONIA-TOMORI 2-0
Apolonia e Gert Haxhiut konfirmoi formën e mirë të saj në ndeshjet e para të fazës së dytë, duke fituar 2-0 me Tomorin e Lakos.
Luftëtari-Lushnja 3-5
Një rezultat shumë befasues në Gjirokastër, aq më tepër kur në 10 minutat e para Luftëtari vendas kryesoi 2-0, për t’i mbyllur 25 minutat në avantazh të lushnjarëve të Artan Banos, 2-3. Më tej ndeshja pati vetëm argëtim, pasi 8 gola në një takim janë jo pak.
TË TJERAT
Ada e Ylber Zanit fitoi 1-0 me Erzenin. Fitore në shtëpi arriti edhe Gramshi (2-0) me Turbinën e Bardhyl Minxhajt, që pëson humbjen e tretë radhazi. Skrapari i Luftar Gurit regjistroi një tjetër fitore pas asaj me Sopotin një javë më parë. Kësaj radhe skraparlinjtë fituan 1-0 me Dajtin, një rival i mesit të artë të Kategorisë së Parë. Burreli i Përparim Daiut fitoi 2-0 me Pogradecin e teknikut të njohur Ilir Medini. Nga një pikë u ndanë në takimet Naftëtari-Laçi (0-0) dhe Sopoti-Bilishti (0-0).
Kategoria e Parë
Java 22
Rezultatet
Skrapari-Dajti 1-0
Ada-Erzeni 1-0
Burreli-Pogradeci 2-0
Bylis-Tepelena 6-0
Sopoti - Bilishti 0-0
Gramshi-Turbina 2-0
Naftëtari-Laçi 0-0
Luftëtari-Lushnja 3-5
Apolonia-Tomori 2-0

Goli i Salihit, më i bukuri i javës 27

Goli i Salihit kundër Altach u zgjodh në mënyrë të qartë si goli më i bukur i javës. Sulmuesi shqiptar i SV Ried u përzgjodh nga faqja sportive austriake laola1.at për golin më të mirë të javës së 27-të. Goli i tij u zgjodh me 52 për qind të votave përpara sulmuesit të Rapid, Mario Bazina (28%) dhe të lojtarit të Salzburg, Sasa Ilic (20%). Salihi qëndroi pas një goditjeje të lirë nga Hervig Drechel papritur i vetëm përpara portës së Goali Mich dhe me shpinë nga porta shënoi me thembër duke realizuar golin 3-1 të Ried kundër Altach. Ky ishte dhe goli i tij i 11-të sezonal.

Toski nuk fal, gol kundër Bokum

Faton Toski, shqiptari që luan në Bundesligën 1 me Eintrahtin e Frankfurtit, realizoi një gol të rëndë duke i dhënë fillimisht avantazhin Eintrahtit të Frankfurtit në barazimin 1-1 me Bokumin. Mesfushori 21-vjeçar Toski, një ndër lojtarët e së ardhmes në listën e ish-trajnerit të Kombëtares, Oto Bariç, realizoi në minutën e 49-të me një gjuajte me të majtën nga 16 metra për ekipin e teknikut Friedhelm Funkel. Ky ishte edhe goli i tij i dytë në Bundesligë në vetëm 7 aktivizime, pas atij kundër Shalkes 04 (2-2).

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›