E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Prezantohet trofeu i Conference League

Është prezantuar sot në qendër të Tiranës trofeu i Conference League 2022 përmes një ceremoni të zhvilluar në sheshin Skënderbej ku morën Ambasadori shqiptar i finales së UEFA Europa Conference League, Lorik Cana, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj si dhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Ish-kapiteni i Kombëtares shprehu krenarinë që finalja e këtij kompeticioni do të zhvillohet në Shqipëri dhe u uroi sukses të dyja skuadrave finalist: “Mirë se keni ardhur në Tiranë. Jemi kryeqyteti i futbollit, për ditën e sotme dhe të nesërme të paktën. Për herë të parë, në edicionin e parë kemi kënaqësinë dhe krenarinë të mirëpresim dhe të prezantojmë trofeun e Conference League që nis rrugëtimin. Shpresoj sa më gjatë dhe sa më bukur dhe jam shumë i sigurt që me këmbë të mbarë në vendin tonë. Uroj që të kënaqeni këto dy ditë. Për të huajt që nuk kanë qenë, t’i presim në mënyrë sa më të mirë, të festojmë dhe fitoftë më i miri”.

Kryetari I Bashkisë së Tiranës, Veliaj theksoi: “Faleminderit të gjithë qytetarëve të Tiranës për mikpritjen fantastike që u kanë bërë atyre që kanë ardhur nga larg. Përshëndesim të gjithë ata që kanë ardhur nga Roterdami dhe nga Roma, mirë se erdhët në Tiranën tone! Shpresoj të kaloni sa më mirë dhe sigurisht të fitojë më i miri në finale, por mbi të gjitha të kalojmë bukur. Me kalimin e kohës, kupat edhe i zë pluhuri, por kujtimet mbeten përgjithmonë. Ndaj, qëllimi i organizimit në Tiranë është që kujtimet t’i kemi përgjithmonë, pavarësisht se ku përfundon kupa”.

“Në Tiranë do të vijnë edhe dy kryetarët e bashkive të Romës dhe të Roterdamit, do të dalim me një deklaratë të përbashkët për t’i treguar qytetarëve që vijnë nga Roma dhe Roterdami, se i respektojmë si miq, i respektojmë si të ftuar për të qenë pjesë e këtij gëzimi, por nga ana tjetër, duam që edhe ata të respektojnë Tiranën, që të lënë mënjanë zënkat, sigurisht emocionet janë të forta, por në finale duam që të ruhet qyteti, të ruhet edhe qetësia e vëllazëria që kultivon futbolli”.

“Shpresoj shumë që ata që kanë ardhur për herë të parë në Tiranë vetëm si tifozë, të kthehen sërish si turistë, me miqtë dhe familjet e tyre. E vlerësoj shumë faktin që shumica e qytetarëve po udhëtojnë ose në këmbë ose me biçikleta. Çdo njeri që na ndihmon duke ulur pak trafikun, na ka bërë nder të jashtëzakonshëm. U jemi mirënjohës të gjithëve, që të dalim të nderuar nga kjo histori dhe Tirana jonë, imazhi i Shqipërisë dhe reputacioni i gjithë popullit tone, të shkojë lart e më lart”.

Edhe presidenti Duka në fjalën e tij u uroi mirëseardhjen në Shqipëri të gjithë tifozëve, duke i siguruar se do t’ia kalojnë shumë bukur në Shqipëri dhe do të shijojnë këtë festë të futbollit.

“Mirë se keni ardhur sot në këtë event të rëndësishëm. Për ata që janë të juaj, mirë se keni ardhur në Tiranë, mirë se erdhët në Shqipëri. Sot është një ditë e veçantë, një ditë e bukur për ne, për mua, për Erionin, për Lorikun që prezantojmë për herë të parë trofeun e parë të Conference League. Është një ditë e veçantë për Tiranën, ditë fantastike sepse e pret këtë trofe për herë të parë. Është një ditë e bukur për ata që kanë vizituar Tiranën, Shqipërinë”.

“Uroj që ne me sjelljen tonë, t’i bëjmë të huajt të vijnë e të vijnë përsëri në Tiranë. Sot është një ditë e bukur gjithashtu për futbollin shqiptar që pas një pune voluminoze, arriti një objektiv madhor që të ketë një trofe të rëndësishëm dhe një aktivitet të rëndësishëm. Uroj që të gjithë bashkë, holandezë, italianë, kombësi të tjera, shqiptarë që jemi shumë mikpritës ta shijojmë këtë aktivitet, ta shijojmë këtë finale dhe mos të jetë i fundit për ne shqiptarët. I uroj suksese ekipit të Romës dhe ekipit të Feyenoordit dhe uroj që të dyja ekipet ta zbukurojnë akoma më shumë këtë festë. Uroj spektakël dhe fair-play. Faleminderit dhe ta shijojmë të gjithë bashkë!”, tha Duka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›