Fabricio Buçi, midis Ambasadorit dhe tifozit roman

Tanimë që vetëm pak orë na ndajnë nga finalja e madhe e Ligës së Konferencës, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabricio Buçi, është më i qetë, edhe pse maji nuk ka qenë një muaj i qetë për të.
“Kanë qenë 2-3 javë të bukura, impenjative, me shumë punë për të bërë, sepse bashkë me miqtë tanë të qeverisë shqiptare, të policisë, po punojmë që nesër të jetë një festë e madhe për të gjithë. Ka shumë vëmendje dhe shumë ankth në Itali për këtë finale, do të vijnë shumë tifozë italianë dhe më kanë telefonuar shumë, shumë persona nga Italia, nga Roma veçanërisht. Pra, ekziston një pritshmëri e madhe, ka shumë entuziazëm dhe shpresojmë që nesër gjithçka të shkojë mir dhe, mbi të gjitha, të shkojë mirë për të gjithë”.
Në një intervistë ekskluzive për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, diplomati italian ka folur edhe për mbërritjen e bashkë-atdhetarëve të tij në Shqipëri për finalen.
“Është e vështirë të bëjmë parashikime. E sigurt është që numri i tifozëve romanë është shumë më i madh sesa numri i shpërndarë nga klubi i Romës për ndeshjen finale. Për këtë arsye kemi vendosur, së bashku me qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës për të ngritur zonat e tifozëve (fanzonat), që për romanistët do të jetë tek Liqeni Artificial. Në pjesë e madhe e tifozëve romanistë do të vijnë nesër nga Roma me fluturimet e posaçme “charter”, por ka edhe nga ata që do të vijnë me traget nëpërmjet Durrësit”.
Edhe pse dy vendet janë vetëm 75 km larg njëri-tjetrit, për Shkëlqesinë e tij, kjo finale do ta rrisë interesin e italianëve për Shqipërinë.
“Mendoj që po, sepse Italia po e rizbulon sërish Shqipërinë, sidomos pas pranverës së 2020-ës, kur Kryeministri Rama bëri atë gjest human me dërgimin e mjekëve në vendin tonë në kulmin e epidemisë së“Covid-19”, një gjest i madh dashurie e bujarie në përkrahje të Italisë dhe besoj se kjo dashuri e ndërsjellë shpërtheu sërish para dy vjetësh dhe ka shumë më tepër interes tashmë, sepse janë të shumtë ata që më shkruajnë e më kërkojnë më tepër informacione dhe lajme nga Shqipëria. Pra është një vend që duan ta zbulojnë. Unë besoj se shumë prej atyre tifozë që do të vijnë për ndeshjen, do të rikthehen dhe kjo finale është një kartvizitë e bukur për Shqipërinë në Itali dhe ne presim që të kemi shumë turistë italianë që ta vizitojnë Shqipërinë, duke nisur që nga kjo verë”.
Buçi beson se nuk ka vend për frikën e përplasjeve midis dy tifozerive, që duhet ta shohin këtë finale si festë.
“Shpresojmë të mos ndodhë asgjë. Unë kam besim të plotë tek policia shqiptare, që ka përkushtim të plotë, po ndihmohet edhe nga homologët italianë, që kanë një përvojë edhe më të madhe në kësi rastesh, që janë këtu e po punojnë me palën shqiptare prej disa javësh. Pra, kam besim të plotë për masat e marra nga autoritetet shqiptare dhe shpresoj e uroj që e mërkura të jetë vetëm një festë e madhe për të gjithë”.
Për një tifoz të thekur roman, finalja e së mërkurës është një ëndërr e bërë realitet për Ambasadorin italian.
“Unë të mërkurën do të jem në stadium, edhe për faktin se përfaqësoj në vendin tuaj një nga dy skuadrat finaliste të këtij edicioni. Por unë nuk e fsheh përkatësinë time futbollistike, sepse, siç e shihni, kam shallin me ngjyrat verdhekuqe, kështu që për mua është një ëndërr. Punoj në një vend të mrekullueshëm, kam privilegjin të jem ambasador i Italisë në një vend vëlla dhe mik si Shqipëria, e pastaj, të mundem të shoh finalen ku luan skuadra ime e zemrës, nuk mund të shkonte më mirë… Domethënë, mund t shkonte, por për këtë më mirë flasim të mërkurën pas ndeshjes”.
Por 58-vjeçari nuk pranon të bëjë parshikime për ndeshjen.
“Si të gjithë tifozët, edhe unë jam supersticioz, kështu që nuk po e lëshoj veten. Kryqëzojmë gishtat dhe e shohim sesi do të shkojë të mërkurën”