Teuta mban kryesimin me fitoret e ngushta
Skuadra e Hasan Likës ka marrë një trepikësh pas një tjetër fitoreje me vetëm një gol diferencë. Në “Loni Papuçiu” skuadra e Apolonisë befasohet nga Pogradeci, që fiton 2-3
Tirana do të luajë sot, por Teuta vazhdon rrugën e saj drejt titullit kampion dhe të paktën mund të fitojë atë të dimrit, diçka që në Durrës nuk e pranojnë ende zyrtarisht si objektiv, por që bëhet gjithmonë e më i logjikshëm duke konsideruar paraqitjet e shkëlqyera të durrsakëve në këtë sezon. Djemtë e Likës regjistruan një tjetër fitore në transfertë, të katërtën në pesë ndeshje jashtë në këtë sezon dhe të nëntën në 11 javë kampionati, pasi dolën fitues në fushën e vështirë të Kamzës. Menjëherë në minutën e dytë, një aksion i gjatë i durrsakëve konkretizohet me një krosim në zonë nga Hyshmeri. Atje, Nika arrin të kërcejë mbi të gjithë dhe devijon me kokë në rrjetë. Menjëherë 0-1. Pas golit, Teuta vazhdon të kontrollojë lojën. Pas 30 minutash lojë, Dosti rrëmben një top në mesfushë dhe shërben Çotën. Sulmuesi, driblon shkëlqyeshëm dy qendërmbrojtësit vendas, Ndreka e Tafaj dhe mposht për herë të dytë Bytyçin, me një goditje të kalibruar nga 16 metra. Në avantazhin e dy golave, kryesuesit rikthehet të bëjnë atë që dinë më mirë gjatë pjesës së dytë… parkojnë autobusin përpara portës. Megjithatë, në një krosim të Ishkës, Sheta prek topin me dorë brenda zonës dhe po Ishka kthen penalltinë në gol, i pesti që durrsakët pësojnë në 11 ndeshje. Menjëherë pas golit, Manuka nxjerr nga arsenali i tij një goditje nga 35 metra, që devijohet në trekëndësh nga Rizvani dhe ky do të jetë rasti i vetëm i mirë i vendasve për të barazuar deri në fund të lojës. Durrsakët shkojnë përkohësisht në +5, duke pritur bardheblutë që do të luajnë sot në transfertën e vështirë të Peqinit. Me shumë peshë suksesi i Pogradecit ka marrë një fitore plot vlera në Fier duke mposhtur 3-2 Apoloninë. Me këtë tripikësh pogradecarët ngjiten në kuotën e 16 pikëve, ndërsa fierakët me këtë ecuri rrezikojnë shumë. Pogradeci e gjen golin që në minutën e 6-të me Drazhanin dhe me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë. Në minutën e 70-të fierakët barazojnë me anë të Ndonit, por pas katër minutash pogradecarët kalojnë sërish në avantazh me Eminhazerin. Në minutën e 90-të, Jahaj shënon golin e tretë për Pogradecin me penallti. Në minutat shtesë kapiteni Gërxho shënon golin e dytë për Apoloninë.. Me këtë humbje, Apolonia duket se do të formojë një dyshe së bashku me Tomorin, për të shmangur një ndër dy vendet e rënies direkte (gjithmonë nëse Dinamo nuk rikthehet të bëjë diçka të rëndësishme).
Superliga – Java XI
Sot
Apolonia – Pogradeci 2-3
Kamza – Teuta 1-2
Laçi – Kastrioti 1-1
Nesër
Dinamo – Flamurtari 13:00
Shkumbini – Tirana 13:00
Tomori – Vllaznia 13:00
Skënderbeu – Bylis 16:00
Renditja
Skuadra N F B H P
1. Teuta 11 9 1 1 28
2. Tirana 10 6 2 1 23
3. Kastrioti 11 6 1 4 19
4. Skënderbeu 10 4 5 1 17
5. Flamurtari 10 5 2 3 17
6. Laçi 11 4 4 3 16
7. Pogradeci 11 5 1 5 16
8. Vllaznia 10 4 2 4 14
9. Bylis 10 4 2 4 14
10. Kamza 11 4 1 6 13
11. Shkumbini 10 3 3 4 12
12. Apolonia 11 2 2 7 8
13. Tomori 10 1 2 7 5
14. Dinamo 10 0 2 8 -1
Shënim: Dinamos i janë zbritur tri pikë nga UEFA