E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta “mbretëron” në Elbasan, Dinamo zhgënjen në Vlorë

Albania-Sport - Kategoria Superiore ka luajtur sot pasdreke 4 ndeshjet e saj të javës së 20-të, duke dhuruar disa rezultate interesante, ku padyshim spikat ajo fitore minimale, por mjaft e vlefshme, që Teuta e Durrësit arriti në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta" ndaj Elbasanit, si dhe ai barazim 1-1 që Apolonia mori në Krujë me Kastriotin. Ndërkaq, në dy ndeshjet e tjera, Flamurtari mundi në fushën e vet, me lojë dhe me rezultat, Dinamon, ndërsa Shkumbini vuajti, por arriti gjithsesi të mposhtte Luftëtarin në rikthimin në fushën e vet, pas pezullimit të fushës peqinase nga ana e FSHF-së.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Sulejman Starova ka luajtur më mirë dhe e ka merituar plotësisht fitoren ndaj kampiones në fuqi, Elbasanit, të arritur me anë të një goli të vlonjatet Daniel Xhafaj, i cili, në minutën e 62-të, sigloi golin e tij të nëntë sezonal. Ndërkaq, në Vlorë, Flamurtari vendas iu fal një dygolëshi të të riut Dritan Sakaj, fillimisht pesë minuta para përfundimit të pjesës së parë dhe, pastaj, 16 minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, për të mposhtur Dinamon e drejtuar nga lojtari/trajner, Redi Jupi. Tashmë vlonjatët janë barazuar me pikë me Besën e vendit të shtatë, e cila ndeshet në kryeqytet me Tiranën, në ora 17:30.
Në Krujë, do të ishte i përhershmi Sebino Plaku ai që do të shtangte tifozerinë vendase me një gol të shënuar në minutën e 35-të, por Apolonia do të humbiste në minutën e 76-të afrikanin Auia, për shkak të dy kartonëve të verdhë, dhe, vetëm 3 minuta më pas, do të pësonte edhe golin e barazimit, me autor Osusin. Gjithsesi, është një pikë mjaft e vlefshme për Apoloninë kjo e sotmja, ndonëse është barazuar tashmë me pikë me Shkumbinin, që arriti të mposhtte Luftëtarin e mbetur me 10 lojtarë vetëm me një gol të Erion Rizvanollit, 8 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›