E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpend Abazi optimist para luftës për titullin botëror

Shpend Abazin e presin vetëm edhe dy ditë për ta realizuar ëndrrën e cdo boksieri, një mec për titullin e kampionit të botës në një nga katër versionet e mëdha të boksit profesionist. Tetovari 28-vjecar do të kryqëzojë dorëzat të premten në "Falconer Center" të Kopenhagës në Danimarkë me ish-kampionin e botës, amerikanin Robert Guerrero, në mecin për titullin e kampionit të botës në versionin IBF për peshën "featherweight".
Si gjithmonë, lufta e deklaratave është e zakonshme para meceve në boksin profesionist, e aq më tepër kur bëhet fjalë për një luftë për titull botëror. Pas deklaratave të amerikanit Guerrero ditë më parë, se pret që të shënojë fitore në Danimarkë, është kundërpërgjigjur Abazi, duke thënë se ka përgatitur një befasi për rivalin e tij në përballjen e 23 shkurtit.
"Përgatitjet kanë shkuar në mënyrë të përkryer. Jam i sigurt se Guerrero do të befasohet. Ai ka thënë dje se e ka studiuar mënyrën time të boksimit në mecet e fundit, por taktika ime në këtë mec do të jetë krejt e ndryshme nga ajo që ai mendon dhe pret", ka thënë Abazi për mediat daneze.
Edhe trajneri i boksierit shqiptar që bokson me flamurin danez, Benny Jorgensen, është shprehur se boksieri i tij është në formën më të mirë të mundshme.
"Shpend ka treguar një vetëdisiplinë të madhe gjatë përgatitjeve gjatë gjithë kohës. Edhe kur ishte më së vështiri unë jam habitur me dëshirën dhe shpirtin e tij. Unë e kam stërvitur Shpendin gjatë gjithë karrierës së tij si profesionist dhe amator dhe asnjëherë ai nuk ka zhvilluar përgatitje më të mira se për këtë mec", ka deklaruar Jorgensen.
Shpend Abazi ka zhvilluar 36 mece në ringun profesionist, prej të cilave e ka humbur vetëm një. Para 6 viteve shqiptari ishte detyruar që ta dorëzojë mecin përballë keniasit Athanas Nzau. Prej atëherë Abazi ka radhitur vetëm suksese, duke fituar titullin e kampionit të Evropës në dy versionet ekzistues.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›