Henrik Larson: “Pas 12 marsit do të rikthehem në Suedi”

Rinovimi i kontratës me Mancester Junajtëd nuk është më në planet e sulmuesit të saj Henrik Larson. Ish-futbollisti i kombëtares suedeze ka thënë se pas një muaji do të rikthehet në vendlindje te skuadra e Helsingborgut. 35-vjecari erdhi në "Old Traford" në 1 janar në formë huaje për një kontratë e cila përfundon në 12 mars. Sipas të përditshmes angleze "the Guardian", Larson ka biseduar personalisht me trajnerin Aleks Ferguson, të cilit i ka thënë se nuk do të dëshironte të qëndronte në "Old Traford" më shumë se 10 javë. "Unë nuk po them se nuk jam i kënaqur këtu dhe prandaj po refuzoj rinovimin, por ka disa gjëra të tjera për të cilat po mendoj. Personalisht, Mancesteri ka qenë një aventurë e jashtëzakonshme. Unë erdha në Angli në janar dhe do të rikthehem në shtëpi në mars për të luajtur me Helsingborgun", deklaroi suedezi. Në 8 takime me fanellën e "djajve të kuq", Larson shënoi vetëm 2 gola, një herë në Kupën e Anglisë kundër Aston Vilës dhe një në kampionat me Uatfordin.