Teuta merr kryesimin, ligjin e bëjnë miqtë
Si rrallëherë, skuadrat vendëse kanë dalë duarbosh. Vetëm Flamurtari ka mundur të sigurojë tri pikët. Skuadra e Hasan Likës rimerr vendin e parë. Tashmë nuk mund të quhet një ekip surprizë
Tri fitore të ekipeve udhëtuese, të tria 1-0, si dhe tre barazime, flasin për një kampionat të shumë të ekuilibruar, ku mesa duket rëndësia e faktorit “fusha ime”, ka rënë dukshëm. Java e 5-të e Kategorisë Superiore do të mbahet mend si “java e udhëtuesve”. Pasi rrallë, shumë rrallë ka ndodhur që vetëm një ekip vendas të dalë me fitore nga shtatë përballjet e kësaj fundjave. Pikërisht, Flamurtari-Pogradeci 2-0, me dy gola të sulmuesit të talentuar Vilfor Hysa. Kështu, Laçi fitoi me Tomorin (në Lushnjë), Kastrioti fitoi me Bylisin në Ballsh dhe Teuta me Apoloninë në Fier. Nga ana tjetër, merita më e madhe i takon ndoshta Kamzës, që barazoi pa gola në Korçë, pikërisht në debutimin e trajnerit çek, Stanislav Levi. Shkumbini barazoi me Dinamon në Tiranë, ndërsa Tirana dhuroi spektakël në “Loro Boriçi” duke barazuar 2-2 me shkodranët.
Teuta merr kryesimin
Teuta e Durrësit, e drejtuar nga Hasan Lika, ka vijuar ritin e saj edhe në javën e gjashtë të kampionatit, duke “pickuar” kundërshtarin e radhës, duke shënuar vetëm një gol, por duke marrë ato më të rëndësishmet në futboll, 3 pikët. Këto të radhës, marrë në Fier, i kanë dhënë kreun e renditjes së superligës skuadrës bregdetare, që tashmë i sheh të tjerët nga lart, në kuotën e 12 pikëve. Një gol i realizuar nga Sheta me penallti u ka mjaftuar “djemve të detit” në transfertën fierake, ku kanë mundur minimalisht Apoloninë vendase. Një 90-minutësh përgjithësisht i ekuilibruar, por ku diferencën e ka bërë një penallti, e kthyer në gol trepikësh nga kapiteni i miqve.
Paqe në “Selman Stërmasi”
Në kryeqytet, në “Selman Stërmasi”, më herët do të barazonte pa gola Dinamo me Shkumbinin. Një sfidë e dominuar përgjithësisht nga blutë, por që s’kanë pasur qetësinë dhe qartësinë e nevojshme për të konkluduar. Kjo edhe për meritë të peqinasve, që me një taktikë më të studiuar kanë arritur të marrin një pikë në këtë transfertë. Dinamo vazhdon të mbetet e fundit në klasifikim, me minus një pike, pasi në gjashtë javë kampionat nuk ka mundur dot ende t’i rikuperoje 3 pikët e hequra nga FIFA, për shkak të mospagimit të ish-lojtarit të vet kroat, Dario Bodrusic
Superliga
Ndeshjet
Të premten
Bylis – Kastrioti 0-1
Tomori – Laçi 0-1
Të shtunën
Flamurtari – Pogradeci 2-0
Vllaznia – Tirana 2-2
Skënderbeu – Kamza 0-0
Dje
Dinamo – Shkumbini 0-0
Apolonia – Teuta 0-1
Renditja
Skuadra N F B H P
1. Teuta 5 4 0 1 12
2. Tirana 5 3 1 1 10
3. Kastrioti 5 3 0 2 9
4. Flamurtari 5 3 0 2 9
5. Laçi 5 2 2 1 8
6. Vllaznia 5 2 1 2 7
7. Bylis 5 2 1 2 7
8. Shkumbini 5 2 1 2 7
9. Apolonia 5 2 1 2 7
10. Skënderbeu 5 1 3 6
11. Pogradeci 5 2 0 3 6
12. Kamza 5 1 1 3 4
13. Tomori 5 1 1 3 4
14. Dinamo 5 0 2 3 -1
Shënim: Dinamos i janë zbritur tri pikë nga UEFA