E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeqo beson: Xhafaj dhe Muzaka do zhbllokohen

Presidenti i bardhekuqve e sheh problemin te sulmi dhe pret rikthimin e dy lojtarëve që vjet kanë shënuar 30 gola

Sulmi i Skënderbeut është në ngërç të plotë, kurse Xhafa dhe Muzaka mbetën sërish inekzistentë në fushën e lojës. Reparti i sulmit në takimin Skënderbeu-Kamza ende nuk ka prodhuar gola, madje i bardhë ka përfunduar krejt takimi ku në shtëpi korçarët kanë mundur të marrin një pikë me shumë mundim. Për këtë situatë të paprecedent që është duke përjetuar sulmi, flet dhe presidenti i Skënderbeut Agim Zeqo, i cili vazhdon të jetë i bindur se Xhafaj dhe Muzaka do shpërthejnë. “Duhet të kishim marrë patjetër 3 pikë në ndeshjen e të shtunës me Kamzën në fushën tonë. Kemi ngërç të plotë në sulm, por pavarësisht kësaj unë jam i bindur që Xhafaj dhe Muzaka do kthehen. Këta lojtarë të dy bashkë kanë bërë gati 30 gola vitin e kaluar. Por po kaq kanë për të bërë edhe këtë vit me Skënderbeun. Ne na duhen edhe pak ditë që ekipi të ambientohet me skemat e reja dhe me metodikën e re të trajnerit çek”, ka theksuar bosi i kampionëve. Sigurisht që Zeqo kërkon të presë edhe pak, aq kohë sa dy sulmuesve të ekipit të shfaqen në fushën e lojës dhe të nisin serialin e golave të munguar të tyre. Por duket se dhe kjo pritje ka një kufi, ndërsa në dhomat e zhveshjes pas takimit, presidenti i bardhekuqve ka qenë më i prerë dhe shumë më kritik në komunikimin me lojtarët. Kërkesa e Zeqos ka qenë që skuadra të shënojë në 20 minutat e para të takimit, në të kundërt problemet do ti ndjekin nga m pas. Në fakt Zeqo e ka kritikuar dhe më parë skuadrën, por sërish situata ka mbetur e pandryshuar. Madje pritej që ardhja e Levit të sillte dhe ndryshime në rezultatin e lojës dhe për një mënyrë tejet të ndryshme të punës, që ai ka sjellë bashke me ardhjen në Korçë. Në fakt kjo nuk ka ndodhur, madje pas humbjes në Laç, skuadra përveçse nuk ka më trajnerin që fitoi titullin, nuk ka pritur të sjellë një rezultat që pritej për ndeshjen në shtëpi. Barazimi është i papranueshëm për të gjithë, ndërsa presidenti Zeqo jep mbështetjen e tij për dy lojtarët që janë bllokuar nga mungesa e golave. Sigurisht që Zeqo përpiqet që të jetë i kujdesshëm për sa i përket dy njerëzve të sulmit, megjithëse ai nuk i ka kursyer kritikat kur iu ka shkuar në dhomat e zhveshjes pas rezultatit jo të pritshëm prej tij sidomos me një ekip si Kamza.

Irena Vreto

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›