E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-Kombinati i Tekstileve do të shndërrohet në park çlodhjeje

Fasadat e objekteve të ansamblit arkitektonik të ish-Kombinatit të Tekstileve në Tiranë do të transformohen përmes një ndërhyrjeje rehabilituese të projektit të bashkisë së kryeqytetit për "rikualifikimet urbane". Në këtë zonë do të ngrihet edhe një park i ri çlodhës për banorët e saj.

Fasadat e ish-kombinatit mbartin vlera historike dhe arkitektonike të njohura, duke qenë të pasura me elementë dekorativë. Sipërfaqja totale që do të rikonstruktohet është 3200 metra katrorë. Rikonstruksioni do të kryhet duke iu referuar elementëve bazë të përdorur në ndërtimin origjinal të objekteve. Me anë të kësaj logjike është respektuar origjinaliteti i patjetërsueshëm dhe vlerat historike, monumentale dhe arkitektonike të këtyre objekteve. "Rikonstruksioni i fasadave të objekteve në sheshin ‘Garibaldi‘ do të jetë ndoshta hapi i parë drejt rikonsiderimit dhe vlerësimit të hapësirave të brendshme të ish-kompleksit të Kombinatit të Tekstileve si një territor i cili do të përmbajë këtej e tutje brenda tij energji pozitive zhvillimi, që koha i ka lënë në harresë", pohojnë përfaqësuesit zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.

Ky projekt përfshin edhe rikualifikimin urban të hapësirave publike në zonën përbri ish-Kombinatit të Tekstileve. Vendndodhja e këtyre hapësirave përkon me një prej hyrjeve të Tiranës, e pikërisht me atë jug-perëndimore, sipas aksit rrugor të Rrugës së Kavajës. Hapësira është krejtësisht e amortizuar dhe jashtë çdo lloj funksioni. Ndërhyrja do të përfshijë transformimin e 5500 metrave katrorë në sipërfaqe të gjelbëruar dhe pedonale. Projekti i ri është krejt në harmoni me sheshin "Garibaldi", tashmë i rehabilituar. Rreth 116 pemë që do të mbillen do të jenë dekorative, si në stinën e lulëzimit, ashtu dhe në atë të zhveshjes nga gjethet, në mënyrë që ky park i vogël i gjelbëruar t‘u ofrojë banorëve dhe vizitorëve disa panorama interesante sipas stinëve. Aty do të vendosen edhe 64 stola të integruar me hapësirën dhe nën hijen e pemëve. Është menduar, që për shkak të vendndodhjes pranë aksit rrugor dhe pedonal të Rrugës së Kavajës, të përdoret po i njëjti ndriçim edhe për këtë hapësirë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›