E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: As autonomi, as status special për veriun

PRISHTINE – “Propozimi i përfolur që veriut të Kosovës t’i jepet status special është i papranueshëm për Prishtinën zyrtare”. Kështu deklaroi kryeministri Hashim Thaçi, gjatë një takimi me gazetarë serbë, të cilët po qëndrojnë në Kosovë, raportojnë mediat kosovare.

Thaçi nënvizoi se për veriun e Kosovës, zgjidhja e vetme është implementimi i Planit të Ahtisaarit.
“Nuk do të ketë as autonomi as status special, por afirmim dhe respektim të të drejtave të qytetarëve të veriut të Kosovës, të cilët vetë do të zgjedhin liderët e tyre”,- u shpreh Thaçi.

Sipas Thaçit, propozimi i shefit të diplomacisë suedeze, Carl Bildt, që të bisedohet për status special për veriun, është ide e tejkaluar dhe e papranueshme për Kosovën.
Kryeministri i Kosovës u ka thënë gazetarëve serbë, se edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së njeh integritetin territorial të Kosovës në përputhje me standardet europiane, prandaj e mbështet.

Kryeministri Thaçi ka thënë se dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës do të vazhdojë dhe se Prishtina është angazhuar për këtë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›