E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, kapja e 26 kg drogë, rezultat i një operacioni disa ditor

VLORË-Një sasi prej rreth 26 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa dhe arrestimi i poseduesit të saj, 31 vjeçarit Julian Taraj, sot në pikën kufitare të portit të Vlorës, ishte rezultat i operacionit disa ditor të koduar me emrin “Emigranti”.

Disa orë pas finalizimit të këtij operacioni, policia lokale publikoi zyrtarisht disa detaje të tij, duke evidentuar faktin se ai ishte rrjedhojë e bashkëpunimit mes Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit dhe Strukturave të Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë.

"Arrestimi në flagrancë i Tarajt, lindur në fshatin Gjorm dhe rezident në Piza(Itali), u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në pjesët e brendshme të mjetit të tij "Mercedes Benz", me targa BJ 536 VW, u gjetën e u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 26 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, e shpërndarë në 83 pako të mbështjella me natriban ngjyrë të tejdukshme", saktësohet në deklaratën zyrtare të policisë lokale. Sipas saj, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Operacioni “Emigranti" u finalizua në mesditë, kur në pikën kufitare të portit të Vlorës u bllokuan rreth 26 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Nga të dhënat e para, u mësua se droga u kap gjatë një kontrolli rutinë të autoveturës së 31 vjeçarit, ndërkohë që më pas u saktësua se veprimet e Tarajt hetoheshin prej disa ditësh.

Gjatë javëve të fundit, veprimet e policisë dhe kontrolli në pikën kufitare të portit të Vlorës, janë intensifikuar, çka është konkretizuar me bllokimin dhe sekuestrimin e rreth 150 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa në 5 raste të tentativave të trafikimit drejt Italisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›