E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi, Buxheti 2012, i harmonizuar me FMN

PRISHTINË- Buxheti 2012 është harmonizuar me FMN-në, tha sot kryeministri, Hashim Thaçi, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
“Ky buxhet është ndërtuar në bashkëpunim të plotë me miqtë tanë ndërkombëtar, po ashtu është harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që është një dëshmi e fuqishme e partneritetit tonë me këtë organizatë financiare ndërkombëtare, por edhe dëshmi se Kosova është në gjendje të jetë anëtare e barabartë dhe e përgjegjshme e institucioneve ndërkombëtare”, theksoi ai.

Kryeministri Thaçi tha se Buxheti i vitit 2012 reflekton plotësisht politikat prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Buxheti është ndërtuar duke u bazuar në politika mirëqeverisëse dhe sidomos në planin dhe vizionin për zhvillimin ekonomik të vendit, i cili reflekton më së miri angazhimin tonë për të ecur përpara në sektorët strategjikë, të cilët kanë ndikim drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në krijimin e një ambienti sa më të favorshëm për investime të huaja direkte”, tha kryeministri kosovar.

Ai vlerësoi faktin se ky buxhet reflekton rritjen e financimeve për sektorin e bujqësisë, përqendrohet në financimin e projekteve kapitale, duke përfshirë këtu edhe projektin më madhor, rrugën Morinë-Merdar, si dhe investime të tjera kapitale në fushën e infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë, telekomunikacionit dhe energjetikës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›