E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Ekonomia ka shënuar rritje prej rreth 4%

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik po mbanë sot takimin e radhës, që është i pari për këtë vit. Në hapje të tij ka marrë pjesë edhe Kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka dhënë përkrahje të parezervë punës së këtij Këshilli. Ai ka kërkuar që të vazhdojë bashkëpunimi me ekspertët e pavarur për identifikimin e mundësive zhvillimore dhe përparësive krahasuese të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Thaçi e përgëzoi Këshillin për sukseset e arritura në fuqizimin e sektorit privat si dhe ka inkurajuar anëtarët të vazhdojnë punën me shpejtësi edhe më të madhe realizimin e mandatit të tij.

“E inkurajoj këtë këshill të vazhdoj të ndihmojë sektorin privat në krijimin e partneriteteve me ndërmarrjet ndërkombëtare duke rritur kështu investimet e huaja në vend. E inkurajoj këtë Këshill të vazhdoj bashkëpunimin e ngushtë me ekspertë të pavarur në identifikimin e mundësive zhvillimore dhe përparësive krahasuese të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Thaçi inkurajoi Këshillin që përmes punës së tij të ndihmojë që komuniteti i biznesit të përforcojë besimin e tij në institucionet shtetërore. Kryeministri Thaçi veç tjerash potencoi edhe ndërtimin e rrugës Prishtinë-Shkup, përgatitjet për të cilën tashmë kanë filluar.

Ai tha se edhe në vitin 2012, ekonomia e Republikës së Kosovës ka shënuar rritje reale në vlerë prej rreth 4%, përkundër krizës ekonomike e cila ka kapluar ekonominë globale. Sipas tij, rritje kanë shënuar edhe të ardhurat për kokë banori që janë matës i përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›