E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Plani i Ban Ki-moon,s'është detyrues

Zyrtarët kosovarë i janë përgjigjur negativisht kërkesës së Serbisë drejtuar Kombeve të Bashkuara për fillimin e zbatimit të 6-pikëshit. Sipas tyre, raporti i Ban ki Munit, nuk është detyrues për Kosovën dhe dallon nga deklarata presidenciale e Këshillit të Sigurimit. Sipas lidershipit të Kosovës, dokumentet e vetme që do të implementohen në Kosovë, janë Kushtetuta dhe plani i presidentit Ahtisaari. Duke iu përgjigjur kërkesës së Serbisë drejtuar Kombeve të Bashkuara për fillimin e zbatimit të planit gjashtëpikësh, kryeministri Hashim Thaçi tha se raporti i Bani Ki Munit dallon nga deklarata presidenciale e miratuar në Këshillin e Sigurimit dhe si i tillë nuk është detyrues për institucionet e Kosovës që ta zbatojnë. "Në raportin e Këshillit të Sigurimit është i përfshirë edhe 6-pikëshi, edhe 4-pikëshi kosovar. Ai dokument nuk është detyrues, ndërsa në deklaratën presidenciale ka një mesazh të vullnetit të mirë dhe se institucionet e Republikës së Kosovës do të respektojnë vetëm Kushtetutën e vendit", theksoi Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi u shpreh po ashtu se vizita e një delegacioni ministror të qeverisë së Serbisë që po realizohet në Kosovë, është bërë me dijeninë e Prishtinës. Ai tha se institucionet vendore kanë qenë të njoftuara nga autoritetet ndërkombëtare për këtë vizitë. Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu nuk ka dashur t'i komentojë çështjet që ndërlidhen me Serbinë. Por ai deklaroi, pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Irlandës, Brajën Kauen, se Kosova po funksionon si shtet dhe po ndërton marrëdhënie dypalëshe me shtetet tjera, ku ndër to është edhe Irlanda, si një shtet mik i Kosovës. Në anën tjetër, kryeministri irlandez, Brajën Kauen tha se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën si në planin e pranisë civile e ushtarake ndërkombëtare, ashtu edhe në atë të ndihmave që qeveria e këtij vendi do t'i ndajë për Kosovën. Kryeministri Kauën tha se prania ndërkombëtare në Kosovë mbetet e ndërlidhur me vendimet e OKB-së dhe jo të vendeve veç e veç. Ai shprehu besimin e tij se pavarësisht raporteve të Kosovës dhe Serbisë, Kosova, në perspektivë, e ka vendin e vet në Bashkimin Europian si një shtet i pavarur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›