E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanjë,llotaria dhuron 3 mln euro

Njerëz nga qytete të ndryshme të Spanjës kanë marrë pjesë në llotarinë "El Gordo", që është më e madhja në botë. Llotaria "El Gordo", që në shqip do të thotë "I Shëndoshi", është ndërtuar në mënyrë të tillë që të marrin pjesë dhe të fitojnë sa më shumë persona që të jetë e mundur nga mbarë Spanja, në të papriturën e fatit. Çmimi i madh i këtij viti ishte tre milionë euro dhe i shkoi serisë së biletës me numrin magjik 32365. Ashtu si çdo 22 dhjetor, spanjollët mbajtën frymën pezull, dhe të gjithë prisnin rezultatet e llotarisë. Qindra njerëz pritën në radhë që në orët e para të mëngjesit të së hënës për të gjetur një vend , ku mund të ndiqnin eventin. "Ne vijmë nga jashtë Madridit për të ndjekur llotarinë. Ne e kaluam fundjavën në Madrid dhe mendojmë se ishte një ide e mirë që erdhëm për ta parë këtë spektakël. Nuk kishim ardhur kurrë më parë", tha Domingo, i cili ishte veshur si një ëngjëll, përpara se të hynte në sallën ku do të mbahej llotaria. Shumica e biletave fituese janë shitur në një kioskë në qendër të Madridit. Avelino Rueda, menaxheri i kioskës deklaroi se çmimi ishte ndarë nga disa persona të lagjes në atë zonë. Llotaritë kanë një histori gati dy shekullore në Spanjë. Llotaria e parë moderne është mbajtur në vitin 1812 në qytetin Kadiz. Sivjet, vendi shpenzoi 2.8 miliardë euro në këtë llotari, tre përqind më pak se viti i kaluar. Rreth 70 përqind e këtyre parave iu rikthehet njerëzve me anë të cmimeve. Shpesh spanjollët i zgjedhin numrat e llotarisë, sipas datave domethënëse për ta. Sipas burimeve qeveritare dhe atyre të llotarisë, spanjollët shpenzojnë mesatarisht 670 euro çdo vit në blerjen e biletave të fatit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›